Provimet me zgjedhje, sot rezultatet e 3000 maturantëve të përjashtuar
Përfundon sot ankthi dhe shqetësimi i maturantëve që nuk dinë ende sesi janë vlerësuar në provimet me zgjedhje. Plot 3000 maturantët e “përjashtuar” nga listat e rezultateve të provimeve me zgjedhje do të mësojnë sot notat përkatëse. Ky ka qenë njoftimi më i fundit i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Menjëherë pas publikimit të rezultateve të munguara në listat e notave të tezave me zgjedhje, 3000 maturantët do të kenë të drejtë të bëjnë plotësimin e formularit të preferencave. Edhe pse në mungesë të notave të provimeve të fundit të Maturës Shtetërore, maturantët e prekur nga ky skandal kanë gjetur forcën për të bërë prova mbi kopjet e Formularit A2, në mënyrë që të kishin një ide mbi përzgjedhjen që do të bënin. Edhe pse në të vërtetë kjo praktikë pune nuk i ka ndihmuar aspak ata, për arsye se formula tradicionale e MSH-së nuk mund të përllogaritet pa ditur notat e provimeve me zgjedhje. Por jo vetëm kaq, tensioni i tyre ishte aq i madh saqë mendonin se do t’u mohohej e drejta për të bërë plotësimin e tij njësoj si bashkëmoshatarët e tyre. E megjithatë, ata thonë se e rëndësishme është që më fund instancat përkatëse reaguan dhe morën përsipër zgjidhjen e kësaj situate alarmante. Më në fund ata do të mësojnë notat me të cilat janë vlerësuar në lëndët me zgjedhje, duke pasur më pas mundësi të mbledhin pikët në total dhe të bëjnë përzgjedhjen e degëve që janë më të mundshme për t’u fituar nga ata.
Rezultatet e provimeve me zgjedhje u bënë publike vetëm nëntë ditë më parë, e megjithatë ka edhe nga ata maturantë që nuk e dinë ende notën me të cilën janë vlerësuar. Afishimi i listave të notave është bërë në ambientet e shkollave të mesme, por kjo praktikë pune nuk ka funksionuar njësoj për të gjitha gjimnazet, pasi ka edhe nga ato shkolla që nuk i kanë ende rezultatet e nxënësve të tyre.
#