Akuzë e re për trafikantin e fëmijëve
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për largimin nga vendi i vuajtjes së dënimit për Agim Xhambazin, i gjykuar më parë nën akuzën e trafikut të fëmijëve. Xhambazi u la në “arrest shtëpie” nga gjykata, por pak para dënimit ai u largua nga banesa. Ai akuzohet për trafikimin e pesë fëmijëve të tij, që i dërgonte në Greqi dhe i shfrytëzonte për të lypur. Ngjarja ka ndodhur në vitin 2001, ndërsa më 10 prill të vitit 2008, ai u arrestua në Greqi dhe më pas u ekstradua drejt vendit tonë. Por, kohë më vonë, Gjykata për Krimet e Rënda vendosi për Xhambazin “arrest shtëpie”. Disa javë më parë, vetëm pak kohë para se të jepej dënimi për të, ai është arratisur. Menjëherë është njoftuar policia, e cila e ka shpallur në kërkim, për të cilin veç akuzës së trafikut të fëmijëve, i shtohet edhe ajo e largimit nga vendi i izolimit. Policët që e ruanin në banesë u pezulluan.
#