E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strehimi, nis më 2012 ndarja e 400 apartamenteve në Tiranë

SHKRUAN: Jonida Tashi 23-12-2011 12:51

Gjatë vitit të ardhshëm Bashkia e Tiranës do të trajtojë me programet sociale të strehimit familjet e pastreha në kryeqytet

Nis vitin e ardhshëm ndarja e 400 apartamenteve për të pastrehët në kryeqytet. Bashkia e Tiranës bën të ditur se në vitin 2012 do të fillojë funksionimi i banesave sociale, një proces ky i bllokuar përgjatë gjithë vitit aktual, për shkak të mos mbledhjes së Këshillit Bashkiak, ku duhet të miratoheshin edhe emrat e përfituesve. Sipas të dhënave, në 11 njësitë bashkiake të Tiranës kanë aplikuar për strehim 6 000 persona, nga të cilët 4 500 kanë kërkuar banesë me kosto të ulët, dhe 1 500 të tjerët banesë sociale me qira. Vlen të theksohet fakti se ky numër azhornohet periodikisht, pasi qytetarët mund të aplikojnë në çdo kohë, mbi bazën e ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”. Por, veç ndarjes së apartamenteve të vitit 2011, Bashkia e Tiranës vitin e ardhshëm ka parashikuar studime dhe projektime për ndërtimin e banesave të reja sociale, nëpërmjet partneritetit publik-privat. Vendimi për familjet përfituese të programeve sociale të strehimit do të merret në fillim të vitit të ardhshëm, ndërkohë që bëhet e ditur se pjesa më e madhe e dosjeve e kanë përfunduar procesin e shqyrtimit. Kriteret që duhet të plotësohen për t’u trajtuar me programet sociale të strehimit janë familjet që: nuk kanë në pronësi një banesë; zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike ku bëjnë pjesë këto familje; kanë mbetur të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore. Në një nga tri kategoritë e mësipërme përfshihen vetëm ato familje që kanë të ardhura të pamjaftueshme. Gjatë vitit 2012 do të nisë zbatimin edhe programi i bonusit të qirasë për familjet në nevojë. Për qytetarët të cilët nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiranë e tregut, Bashkia e Tiranës ofron mundësinë e trajtimit me bonus strehimi deri në momentin e trajtimit përfundimtar me strehim. Bonus strehimi është dokumenti që përcakton një shumë të hollash, që i takojnë një familjeje, si ndihmë nga shteti, për të mbuluar pjesërisht pagesën e qirave. Masa e pagesës që do të përfitojë familja do të llogaritet duke u bazuar tek aftësia paguese e familjes (të ardhurat totale të familjes) dhe masa e qirasë që paguan, kjo e fundit. Vlera e bonusit të strehimit nuk mund të jetë më shumë se 50 për qind e qirasë minimale të banesave në tregun e lirë, për bashkinë ku jepet ky bonus. Vlera maksimale përcaktohet çdo vit, bazuar në të dhënat e vitit të mëparshëm dhe miratohet me vendim të Këshillit Bashkiak. Në buxhetin e ri, Bashkia e Tiranës i ka kushtuar vëmendje të veçantë edhe mbështetjes me fonde të politikave të saj sociale, si: ngritja e 6 qendrave të reja sociale; përmirësimi dhe zgjerimi i shërbimeve në qendrat ekzistuese; bonusi i qerasë për familjet në nevojë; programi i integrimit të të pastrehëve; më 2012 do të fillojë funksionimi i banesave sociale; janë parashikuar lehtësi fiskale për kategoritë në nevojë, pensionistë dhe veteranë; studime dhe projektime për ndërtimin e banesave të reja sociale, nëpërmjet partneritetit publik-privat.

Buxheti 2012, politika sociale

Ngritja e 6 qendrave të reja sociale

Përmirësimi dhe zgjerimi i shërbimeve në qendrat ekzistuese

Bonusi i qirasë për familjet në nevojë

Programi i integrimit të të pastrehëve

Më 2012 do të fillojë funksionimi i banesave sociale

Janë parashikuar lehtësi fiskale për kategoritë në nevojë, pensionistë dhe veteranë

Studime dhe projektime për ndërtimin e banesave të reja sociale, nëpërmjet partneritetit

publik-privat

Si mund të aplikoni për strehim

Aplikimi kryhet nëpërmjet një formulari që mund të tërhiqet në Zyrën e Informimit me Qytetarët, pranë Bashkisë së Tiranës ose në njësitë bashkiake, ku qytetari figuron i regjistruar. Ky formular duhet të plotësohet me vërtetësi në të gjitha fushat ku plotësohet dhe më pas të noterizohet. Më pas, Njësia Bashkiake përkatëse i përcjell këta formularë pranë Drejtorisë së Strehimit Social në Bashkinë e Tiranës, ku edhe regjistrohet në database-n elektronik të drejtorisë. Nëpërmjet këtij sistemi, Bashkia e Tiranës ka mundësuar lehtësimin për administrimin e kërkesave për strehim social dhe ofrimin e një shërbimi cilësor, sasior dhe të përpunuar qytetarëve të Tiranës, me anën e të cilit mund të manaxhojë në mënyrë të informatizuar programet e strehimit social gjatë gjithë procesit të tyre administrativ. Në veçanti, programi bën të mundur arkivimin e të dhënave, duke filluar nga kërkesat e paraqitura gjatë vitit 2005 e në vazhdim, leximin individual dhe të përbashkët të të dhënave, menaxhimin e dokumenteve plotësuese, aplikimin e sistemit të pikëzimit, formimin e listave të përfituesve. Pas shqyrtimit nga specialistët e Drejtorisë së Strehimit, emrat e përfituesve dërgohen për miratim në Këshillin Bashkiak.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›