E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyra e Përmbarimit përballet me debitor shtetin

30/01/2009  Titullarët nuk zbatojnë vendimet e gjykatave

KORÇE - Një pjesë e institucioneve shtetërore vazhdojnë të jenë penguese për punën e zyrës së Përmbarimit Korçë, pasi titullarë të tyre injorojnë vendimet e gjykatës, edhe pse ato janë të formës së prerë dhe nuk tregohen të gatshëm për të shlyer debitin që kanë ndaj të tretëve. Ndërkaq po kaq shqetësuese mbeten edhe dosjet e pensionit ushqimor të fëmijëve jetim, pasi një pjesë e prindërve kanë emigruar jashtë vendit pa lënë pas asnjë lloj adrese. Ekzekutimi i vendimeve gjyqësore duket se mbetet më i lehtë vetëm ndaj subjekteve private, por edhe këto të fundit kanë paraqitur probleme, veçanërisht në shlyerjen e kredive. Problemet e ngritura më sipër janë bërë të njohura nga burime pranë zyrës së Përmbarimit të Korçës, të cilat pohuan se gjatë vitit 2008 e në vijim janë përballur me një volum të madh pune. Nga burimet në fjalë mësohet se kjo zyrë, nisur nga volume i punës, zë vendin e dytë në rang republike, pas zyrës përmbarimore të Tiranës. Vetëm gjatë vitit 2008 numri i titujve të vendimeve gjyqësore që kërkonte ekzekutim shkonte në 1400 dosje, çka flet qartë për ngarkesën që ka patur kjo zyrë. Gjithsesi zyra e Përmbarimit shikon si pengesë serioze një pjesë të institucioneve që injorojnë vendimet e gjykatës. Për këtë arsye, zyra e Përmbarimit ka theksuar se, ajo është e vendosur që me të gjitha mënyrat dhe mjetet që u jep ligji, duke ushtruar kompetencat e veta të shkojnë drejt ekzekutimit të të gjithë titujve. Ndaj këtyre titullarëve, kanë vijuar më tej burimet, do të merren masa ndëshkuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›