E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyra e presidentit serb:Nuk do të ketë takim Thaçi-Tadiç

Zyra e Presidentit serb, Boris Tadiç ka pohuar se nuk do të ketë ndonjë takim të tij me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Reagimi vjen pas botimeve në gazetat kosovare, sipas së cilave kishte të dhëna për një takim të mundshëm në qershor ndërmjet dy liderëve.

“Përjashtohet cdo mundësi që presidenti Tadiç të takojë Thaçin”, citojnë burime nga kabineti Tadiçit për agjensinë e lajmeve Tanjug.

Dy politikanët janë takuar dy herë, në Athinë e New York. Së fundmi u bë e ditur se kreu i qeverisë kosovare dhe kreu i shtetit serb, mund të takoheshin në Londër ose në Bruksel, ndërsa ishte raportuar se përjashtohej mundësia që takimi të ndodhte në Sarajevë, për faktin se Bosnja Hercegovina ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Mundësia e takimit Thaçi-Tadiç është përmendur disa herë, sidomos gjatë procesit të bisedimeve Kosovë-Serbi, të cilat po zhvillohen në Bruksel. Thaçi më herët ka deklaruar se nuk ka ndonjë problem ta takojë Tadiçin, pasi takime me të ka pasur edhe gjatë bisedimeve për statusin në Vjenë.

Ndërkaq pak javë më parë, edhe presidenti serb, Boris Tadiç, tha se ai është i gatshëm të takohet me Hashim Thaçin, vetëm nëse bisedimet do të kontribuonin në zgjidhjen e çështjeve për Kosovën e Metohinë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›