Zgjedhjet presidencialet ne SHBA
Për të marrë pjesë si kandidat për President i Shteteve të Bashkuara në nëntor, rivalët duhet të fitojnë garën brenda partisë së tyre. Vendimi merret nga delegatët e partive.
Votimet për zgjedhjet paraprake, faktikisht përzgjedhin delegatët që mbështesin njërin prej kandidatëve në garë. Konkurrenti që merr shumicën e votës së delegatëve në konventën partiake, merr dhe kandididimin e partisë së tij.
Kur konventa republikane të zhvillohet në Tampa të Floridës në 27 gusht të këtij viti, aty duhet të jenë të pranishëm 2,268 delegatë. Për një kandidat do të duhen 1,144 delagatë që të marrë kandidimin republikan për garën presidenciale të nëntorit.
Konventa demokrate hapet në 3 shtator në Sharlot të Karolinës së Veriut, ku duhet të jenë pjesmarrës 5,554 delegatë. Do të duhen 2,778 delegatë për të kandiduar për herë të dytë zotin Obama për president, i cili nuk ka rivalë brenda partisë. Por jo të 5,554 delegatët në Konventën e Partisë Demokratike janë të detyruar të votojnë për një kandidat në veçanti. 727 prej tyre, të quajtur “ superdelegatët”, janë zyrtarë të partisë në shtetet apo në rang kombëtar, si guvernatorë, senatorë apo anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve. Këta 727 delegatë mund të mbështesin cilin kandidat që duan.
Dy partitë kanë formula të ndryshme për ndarjen dhe angazhimin e delegatëve për kandidatët presidencialë. Nëse dikush merr 35% të votave në zgjedhjet paraprake të një shteti, kandidati do të marrë 35% të delegatëve që ka ky shtet.
Delegatët janë të detyruar të votojnë kandidatin e përzgjedhur në shtetin e tyre në raundin e parë të votimeve në konventë. Por nëse njëri nga kandidatët nuk arrin kuorumin e nevojshëm, konventa zhvillon atë që quhet “votim i ndërmjetëm” , ku dy fraksione bashkohen për të nxjerrë kandidatin presidencial. Por kjo nuk ka ndodhur që nga viti 1952