E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqi kunder gjeneralit turk

Ish-shefi i shtabit të Ushtrisë Turke u paraqit të hënën në gjyq, për t’u përballur me akuzat e terrorizmit dhe komplotit për të rrëzuar qeverinë e ligjshme nëpërmjet një grushti ushtarak. Gjenerali Ilker Basbug, i cili doli në pensionin në vitin 2010, është ushtaraku më i lartë që përballet me akuzat në çështjen e quajtur “rrjeti i Ergenekon”, një grupim ekstremist nacionalist. Prokurorët bëjnë me dije se gjenerali u përpoq të rrezojë qeverinë e kryeministrit Rexhep Tayp Erdogan në vitin 2003, akuza këto të hedhura poshtë nga Basbug. Në total, mbi 400 ushtarakë të niveleve të ndryshme janë të përfshirë në këtë çështje gjyqësore. Megjithatë, 68-vjeçari është akuzuar direkt nga disa prej vartësve të tij, që justifikojnë një sërë veprimesh komplotuese, duke iu referuar urdhërave të qartë të ardhur nga lart. Çështja gjyqësore ndiqet me një interes të veçantë në Turqi, ndërsa për procesin Basbug është ndërtuar një dhomë e posaçme gjyqësore brenda burgut të Silivrisë, ku mbahet ushtaraku i lartë. Basbug akuzohet gjithashtu për ngritjen e faqeve të internetit për përhapjen e “propagandës” kundër autoriteteve deri në vitin 2008 dhe “ngritjen dhe administrimin e organizatave terroriste”. Avokatët mbrojtës të gjeneralit kanë deklaruar publikisht se çështja është e mbushur me dokumenta të sajuar, të cilëve u mungon besueshmëria.Ushtria Turke, e dyta më e madhe në NATO pas asaj të Shteteve të Bashkuara , e ka parë veten për një kohë të gjatë si garant i Kushtetutes laike në vend.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›