Zyrtare, KQZ: Zgjedhjet s'u zhvilluan në 8 qendra votimi
Sipas të dhënave jo zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve arriti në 51 për qind të zgjedhësve
TIRANË- Shqipëria ka mundur më së fundi të mbajë zgjedhje të lira dhe demokratike të njohura parimisht nga të gjitha palët. Kjo të paktën porsa i përket pjesës së parë, asaj që ka të bëjë me procesin e votimit, i cili pavarësisht nga problematikat sporadike është konsideruar nga të dyja krahët e politikës si korrekt.
Avaritë e hasura në orët e para të procesit sidomos në aspektin e infrastrukturës zgjedhore, kanë mundur të evitohen në masën e tyre dërmuese, duke bërë të mundur që në përfundimin e tij pas orës 19 të mbrëmjes i gjithë opinioni mediatik, por edhe ai politikë nga të dyja krahët ta konsideronin atë si një arritje për vendin tonë.
Me një pjesëmarrje që është konsideruar e kënaqshme dhe që sipas të dhënave jo zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve arriti në 51 për qind të zgjedhësve, shqiptarët shprehën verdiktin e tyre dhe tashmë pritet numërimi i plotë i votave, për të shpallur më pas, ndoshta gjatë pasdites së sotme, rezultatin final nga ana e KQZ-së.
Kështu, në krahasim me zgjedhjet e shkuara parlamentare, në ato që u mbajtën dje është vënë re një interes i madh i zgjedhësve, të cilët pavarësisht presionit të madh nuk kanë nguruar të bëhen pjesë e procesit dhe të shprehin vullnetin e tyre politike.
Sipas të dhënave jo zyrtare në Berat votuan 46 përqind e zgjedhësve, në Dibër 43 përqind, në Gjirokastër 53 përqind, në Fier 48 përqind, në Kukës 53 përqind, në Lezhë 48 përqind, në Shkodër 42 përqind, në Tiranë 50 përqind dhe në Vlore 36 përqind. Ndërkohë që lidhur me përqindjen e votuesve duhet theksuar se KQZ dështoi në planin e saj për të pasur të dhëna për pjesëmarrjen direkt nga KQV-të në çdo tre orë.
Sekretarët e KQV-ve nuk zbatuan udhëzimin e KQZ-së për ti nisur kësaj të fundit me SMS të dhënat për pjesëmarrjen në çdo tre orë gjatë procesit. Ndërkohë që në total nga 4750 qendra votimi mundën të zhvillohen votime në 4742 prej tyre.
Kjo pasi në 8 QV nuk u bë e mundur të zhvillohej procesi i votimit, pasi në to ose nuk u paraqitën fare komisionerët ose procesi i votimit u ndërpre në mes për shkak të largimit të një pjese të komisionerëve.
Më konkretisht në qendrat e votimit 3119, 3120 dhe 3121 në komunën Portëz të qarkut të Fierit në KZAZ-në në numër 19, sipas të dhënave zyrtare të KQZ nuk u votua për shkak se komisionerët socialistë nuk u paraqitën në detyrë deri në orën 16:00.
Po kështu edhe në KZAZ-në 26 në Gjirokastër në qendrën e votimit 4371 në Mezhgoran të Tepelenës nuk u hap procesi i votimit. Në KZAZ-në 5 qarku Dibër, bashkia Peshkopi komisionerët e QV-së 1127 nuk tërhoqën bazën materiale dhe rrjedhimisht votimi nuk filloi.
Ndërkohë pas hapjes dhe fillimit të votimit u konstatua se në KZAZ 38, qarku Lezhe, bashkia Rëshen, në QV-në 0778, sipas KQZ-së janë larguar komisionerët e majtë dhe votimi është ndërprerë.
E njëjta gjë raportohet se ka ndodhur dhe në Bushat të Shkodres në qendrën 0342 dhe QV-në 0778 në fshatin Xhuxhë të Lëzhës. Megjithatë moszhvillimi i zgjedhjeve në këto 8 qendra votimi nuk pritet të ketë ndikim në rezultat dhe për rrjedhojë bazuar Kodit Zgjedhor nuk pritet që të ribëhen zgjedhjet.
Zgjedhjet do të mund të ripërsëriten në të gjithë qarkun në rast se shuma totale e votave të qendrave të votimit ku nuk është zhvilluar zgjedhjet apo ato janë shpallur të pavlefshme do të ishte aq e madhe sa vota janë dashur për të nxjerrë një mandat deputeti në atë zonë.
Probleme janë hasur ditën e djeshme edhe lidhur me bojën matrikuluese dhe bojën e vulës, e cila në disa raste nuk ishte në zarfat e shpërndara në KQV-të.
Qetësisht është raportuar se ka ecur në mbrëmje edhe procesi i transportit të kutive të votimit nga KQV-të në selitë e KZAZ-ve në 12 qarqe. Probleme ka pasur në qarkun Gjirokastrës ku kutia e një qendre votimi në një nga zonat minoritare nuk është pranuar që të merret në dorëzim.
Ndërkohë që procesi i marrjes në dorëzim i kutive të votimit dhe i përpunimit të tyre ka ecur me ritme të shpejta në një sërë qarqesh, si Kukësi dhe Berati, ku numërimi i votave ka nisur më parë.