E Shtunë, 31 Tetor 2026

Numërimi, Ndoka kërcënon kreun e KZAZ-së 40

SHKODËR - Është bllokuar pa nisur procesi i numërimit të votave në VNV nr. 40, e cila përfshin Bashkinë e Shkodrës. Shkaku ka qenë moslejimi i vëzhguesve të PDK-së dhe "Polit të Lirisë" për të ndjekur procesin e numërimit të votave.


Ka qenë një vendim i KZAZ-së nr. 40 ai që ka penguar vëzhguesit e "Polit të Lirisë" dhe që ka ngjallur reagimin e kryetarit të demokristianëve, Nard Ndoka, por dhe drejtuesve të tjerë demokristianë, të cilët kanë kërkuar të hyjnë me forcë.


Ata kanë debatuar ashpër me kryetarin e KZAZ-së nr. 40, Besnik Kastrati, përfaqësues i PD-së, duke diskutuar për aspektin ligjor. Ndërsa Kastrati është përpjekur të sqarojë se është një vendim i KZAZ-së që, për shkak të shkeljes së afateve ligjore, të mos lejohen vëzhguesit e "Polit të Lirisë" të ndjekin procesin, kjo është kundërshtuar ashpër nga demokri0stianët, të cilët e kanë kërcënuar Kastratin.


Situata është acaruar dhe ka ndërhyrë policia, tetë efektivë të të cilëve kanë krijuar një kordon mes demokristianëve dhe kreut të KZAZ-së Kastrati, i cili më pas është larguar për të kërkuar zgjidhjen e problemit nga KQZ.


Është bllokuar porta hyrëse e ambienteve tek pallati i sportit dhe brenda kanë mbetur vetëm anëtarët e grupeve të numërimit të votave, disa vëzhgues, mediat dhe nga "Poli i Lirisë", dy kandidatët për deputetë të Qarkut Shkodër, Ndoka e Gilman Bakalli.


Sipas Nard Ndokës, kryetar i PDK-së, ky është një veprim absurd që nuk ka ndodhur në asnjë prej zonave zgjedhore. Ndoka shtoi se dhe mëngjesin e djeshëm, vëzhguesit e PDK-së janë penguar, me argumentin se i kanë sjellë emrat pranë KZAZ-së 40 kur ka kaluar afati ligjor.


Është dashur ndërhyrja e KQZ-së për të bërë të mundur që vëzhguesit e "Polit të Lirisë" të jenë të pranishëm nëpër qendrat e votimit. "Nuk mund të na heqin sytë. Vëzhguesit janë syri ynë. Kjo është një shkelje ligjore, pasi ligji thotë që emrat e vëzhguesve depozitohen 48 orë para fillimit të procesit zgjedhor dhe ne i kemi depozituar një javë përpara, - tha Ndoka.


- Është një shkelje e qëllimshme e ligjit nga kjo KZAZ dhe drejtuesi i saj, i cili vepron me urdhra partiakë". Mbyllja e derës ka lënë jashtë saj dhe dy kandidatë për deputetë të PS-së, që kanë dashur të hyjnë brenda për të trajnuar vëzhguesit e tyre.


Sipas kandidatit tjetër të "Polit të Lirisë", Gilman Bakalli, që ka konkurruar nën siglën e LZHK-së, kjo që po ndodh është e qëllimshme dhe pavarësisht nga kjo, ai e Nard Ndoka janë brenda dhe do të mund të ndjekin procesin e numërimit të votave.


Kjo situatë ka bërë që procesi i numërimit të votave në VNV-në e zonës nr. 40, të mos fillojë as në orën 00:30 të 29 qershorit. Ndërkaq, në sheshin para ish-hotel "Turizmit" në Shkodër, mbështetës të PD-së kanë festuar fitoren, edhe pse të pashpallur zyrtarisht, të PD-së, ku e pranishme ka qenë dhe nënkryetarja Jozefina Topalli dhe të tjerë drejtues të PD-së.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›