Zyrtare: Serbia njeh vulat doganore, marrëveshje edhe për kadastrat

(E plotësuar) Zyra e Robert Cooper’it, ndërmjetës i BE’së në dialogun Kosovë-Serbi, ka lëshuar një deklaratë zyrtare ku njofton për rrjedhën e takimit të sotshëm mes dy palëve.
Sipas deklaratës, Serbia ka njohur vulat doganore të Kosovës, e po ashtu palët kanë arritur marrëveshje edhe për regjistrat kadastral.
“Në fushën e lëvizjes së lirë të mallrave, palët ranë dakord që vula doganore të shënuar "Doganat e Kosovës" do të pranohen. Kjo marrëveshje do të konfirmohen për të gjitha vendet anëtare të CEFTA’s”, thuhet në deklaratë.
Më tej theksohet se kjo marrëveshje ndikon në heqjen e embargos së dyanshme tregtare.
“Ky është një hap i rëndësishëm në përmirësimin e marrëdhënieve në rajon dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes së mallrave, në pajtim me vlerat europian”.
Po ashtu, sipas komunikatës, palët kanë rënë dakord që ta krijojnë një kadastër plotësisht të besueshme për të mbrojtur të drejtat e personave më kërkesa legjitime pronësore.
“Takimi i ardhshëm do të mbahet gjatë muajit shtator”, përfundon deklarata.
Përfundoi takimi Kosovë-Serbi
Ka përfunduar raundi i radhës i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që nisi mëngjesin e sotshëm në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Robert Cooper’it.
Në këtë takim është arritur marrëveshje për vulat doganore – Serbia është dorëzuar dhe ka pranuar vulat e Shtetit të Kosovës.
Ende nuk dihet nëse është arritur marrëveshje edhe për çështjet tjera që kanë qenë sot në tavolinën e bisedimeve.
Sipas njoftimeve të para, gjatë ditës së nesërme Edita Tahiri dhe Borko Stefanovic, ndarazi, do t’i njoftojnë opinionin e vendeve të tyre për rrjedhën e takimit të sotshëm në Bruksel.
Ekskluzive, Serbia pranoi vulat doganore të Kosovës
Në takimin e sotshëm që ende po vazhdon në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit, delegacioni serb ka pranuar vulat doganore të Kosovës, thonë burime të Gazetës Express.
Siç dihet, në vulat doganore të Kosovës shkruan vetëm “Dogana e Kosovës” dhe nuk ka kurrfarë simboli shtetëror - ashtu siç i kanë edhe shumica e shteteve në botë.
Përveç vulave, në agjendën e takimit të sotshëm janë edhe këto tema: kadastri, telekomi, energjia, diplomat universitare si dhe përfaqësimi i Kosovës në takimet dhe forumet ndërkombëtare.
Duke folur para nisjes së këtij raundi, shefja e delegacionit të Kosovës në bisedime, Edita Tahiri ka thënë se “ne si qeveri jemi shumë e qartë, vizioni ynë është vizion euroatlantik për Kosovën”.
“Dhe jo vetëm kësaj radhe, por që nga fillimi i dialogut ne kemi dëshmuar se duam një qasje konstruktive për të kontribuuar në paqen dhe stabilitetin e rajonit, sikur edhe në lëvizjen drejt Bashkimit Evropian për të dyja shtetet”, ka thënë zonja Tahiri.
Homologu i saj, shefi i delegacionit të Serbisë në bisedime, Borko Stefanovic, ka folur haptazi për rezultatet që ai pret të arrihen.
“Shpresojmë se pas një dite të gjatë diskutimesh, do të kemi disa rezultate konkrete, posaçërisht lidhur me vulat doganore dhe kadastrat, dhe se do të mund të dalim publikisht me detajet e këtyre marrëveshjeve".
“Shpresoj se me marrëveshje do të lehtësojmë situatën, që ajo të jetë shumë më normale seç është sot, për të mundësuar lëvizjen e mallrave”, ka thënë Stefanovic, për të shtuar se kjo do të ndikonte edhe në uljen e tensioneve.
Zyrtarët e BE’së ndërkaq kanë thënë se është mirë për të dyja palët të arrihen “sa më shumë marrëveshje, në prag të raporteve të progresit të Komisionit Europian”, të cilat priten të dalin muajin e ardhshëm.
Kjo posaçërisht vlen për Serbinë, e cila këtë vit synon të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Europian.