Zyrtare, Vilas Boas trajneri i ri i Çelsit
Andres Vilas Boas do të jetë trajneri i ri i Çelsit, duke zënë në këtë mënyrë vendin e lënë bosh nga Karlo Ançeloti. Portugezi është bërë trajneri i shtatë i epokës Abramoviç, por njëkohësisht edhe më i riu. Në moshën 33-vjeçare, portugezi shkon në Londër me statusin e një fitimtari, pasi arriti të koleksiononte tre trofe me Porton që në sezonin e parë. Çelsi pagoi 13.5 milionë stërlina për ish-ndihmësin e Murinjos, i cili ishte i blinduar me kontratë nga Porto. “Andres ishte kandidati kryesor për pankinën, ai është një nga menaxherët më të talentuar në futbollin e sotëm, duke arritur shumë trofe në një kohë të shkurtër”, bëri të ditur klubi londinez në një komunikatë për shtyp. Çelsi bën të ditur se beson në ambiciet dhe aftësitë prej lideri të Vilas Boas, detyra primare e të cilit do të jetë ajo që të shpallë blutë e Londrës kampionë të Evropës. Andres Vilas Boas ishte një skaut i Çelsit, në kohën që në këtë klub ishte Zhoze Murinjo. Ai është një nga teknikët më të rinj të Evropës, por në nën drejtimin e Portos ai nuk pësoi asnjë humbje në kampionat gjatë një sezoni të tërë, ndërkohë që arriti të fitonte kampionatin, Kupën e Portugalisë dhe Europa League.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)