E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtarët e Burgut, para nga sekserët në këmbim të lejeve

Prej tre muajsh krerët e burgut të Rrogozhinës hetoheshin për mitmarrje dhe korrupsion. Tre të arrestuar dhe një në kërkim


TIRANË- Një ditë pas arrestimit të zyrtarëve të Burgut të Rrogozhinës, për korrupsion, policia ka zbardhur skemën për marrjen e ryshfeteve për lirimin e të burgosurve. Të arrestuarit janë mbajtur nën hetim rreth katër muaj dhe ndaj tyre policia ka siguruar prova se janë të përfshirë në abuzimin dhe dhënien e lejeve shpërblyese apo edhe të lejeve të veçanta për të burgosurit.


Drejtori i burgut bashkë me dy vartësit e tij, specialistë edukimi në këtë institucion të vuajtjes së dënimit, dyshohet se kishin ndërtuar një skemë të veçantë për të bërë dhe lirimin e të burgosurve, kundrejt shumave të parave që paguanin familjarët e personave që iu është hequr liria.


Nga hetimet paraprake, dyshohet se një person, jo i punësuar në Burgun e Rrogozhinës, ka kryer rolin e sekserit, për të ndikuar tek zyrtaret e burgut, për të bërë të mundur plotësimin e dosjes me sjellje të mirë për të burgosurit. Pasi dy specialistët e kujdesit social, Ismail Çumani dhe Denis Tosku, plotësonin dosjen e sjelljes për të dënuarit që kërkonin leje.


Pasi të ishte bërë gati dokumentacioni ndaj të dënuarave që kishin bërë kërkesa për të përfituar leje shpërblyese apo edhe leje të veçanta, drejtori Pajtim Murrja, firmoste përfundimisht për përfitimin e lejes.


Por Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në bashkëpunim me Policinë kanë mbajtur nën hetim zyrtarët e burgut, pas dyshimeve për marrjen e ryshfeteve për lejet e të dënuarve. Drejtori i Burgut të Rrogozhinës, Pajtim Murrja, 39 vjeç, nga Tirana dhe dy vartësit e tij, Ismail Çumani, 50 vjeç dhe Denis Tosku, 25 vjeç, të dy specialistë edukimi, u arrestuan dy ditë më parë.


Zyrtarët e burgut u arrestuan gjatë operacionit policor të koduar "Liria e kushtëzuar", zhvilluar nga Policia e Shtetit, Njësia e Përbashkët Hetimore e Prokurorisë së Durrësit dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të sistemit të burgjeve.


Të arrestuarit akuzohen për konsumim të veprave penale të "korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike", " ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike" si dhe "shpërdorimit të detyrës" të kryera në bashkëpunim.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›