Vrasja e dyfishtë në Pojan, ngrihen pistat e para
KORÇË/ Policia ka shoqëruar 35 vetë, të cilët janë marrë në pyetje për të zbardhur të kaluarën e viktimave
Korçë- Krimi i Pojanit me dy të vrarë mbetet ende i pazbardhur. Ndonëse kanë kaluar tashmë 48 orë dhe është vendosur dhe një shpërblim prej 30 milionë lekësh, sërish asnjë informacion nuk ka arritur t'i japë dritë ngjarjes. Ndërkohë policia ka marrë në pyetje rreth 35 vetë, të cilët kanë dhënë dëshminë e tyre lidhur me vrasjen e Altin Liçollit 34 vjeç dhe Arben Nicajt 45-vjeçar.
Mesnatën e të dielës dy persona të armatosur me kallashnikov kanë qëlluar në drejtim të shtetasit Altin Liçolli në dyqanin e këtij të fundit, ndërsa ka vdekur më pas në spital edhe bashkëfshatari i tij Arben Nicaj.
Burime të gazetës pranë grupit hetimor kanë bërë të ditur se Nicaj është viktimë rastësore e këtij krimi dhe e gjithë vëmendja e hetimit është përqendruar mbi pronarin e dyqanit. Janë disa pista ku është mbështetur puna, ndërsa 34-vjeçari baba i tre fëmijëve sipas policisë nuk ka pasur probleme në fshat.
Gjithsesi një nga pistat kryesore është ajo e pronësisë dhe konkretisht pronësisë së dyqanit ku ka ndodhur dhe ngjarja. Megjithëse nuk jepen më shumë detaje, është duke u analizuar e gjithë veprimtaria e viktimës.
Gjithashtu policia nuk përjashton dhe konfliktet të vogla me persona në fshat. Ndërkohë, fshati Pojan është gati i blinduar i gjithi nga prania e forcave të shumta të policisë. Ka arritur në 35 vetë numri i personave që janë shoqëruar në komisariatin e Korçës dhe janë marë në pyeje lidhur me krimin, por dhe aktivitetin që kryenin viktimat dhe në mënyrë të veçantë Liçolli.
Vrasësit duket se kanë lëvizur pa probleme, ndërsa dyshohet që ata të jenë banorë të fshatit të lartpërmendur. Analiza balistike që pritet të mbërijë nga kryeqyteti për armën kallashnikov, është një shpresë e bluve, teksa një ditë pas ngjarjes një shumë i kërkuar që dyshohet si autor i një sërë vrasjesh në rajonin e Korçës është prangosur me një arsenal të tërë armësh ku nuk mungonte dhe kallashnikovi.
Policia thotë se nuk ka lidhje mes arrestimit të Myrderi Verdhës dhe vrasjes së Pojanit, por ai nuk po i shmanget hetimit. Tabulatet telefonike të ditëve të fundit të Liçollit mund të thonë më tepër lidhur me vrasjen barbare të tij me 8 plumba.