Zyrtarët e MPPTT: Patentat, nga janari 2009 do të njihen edhe në Itali

Italia dhe Shqipëria vendosin të njohin në mënyrë të ndërsjellët patentat. Marrëveshja për njohjen reciproke dhe konvertimin e lejeve të drejtimit të automjeteve, është firmosur nga ministri i MPPTT Sokol Olldashi dhe nga Ambasadori Italian Saba D’Elia dhe në prani të ministrit të Jashtëm Italian Franco Fratini.
“Kjo marrëveshje do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm për komunitetin shqiptar në Itali si dhe për të gjithë drejtuesit e mjeteve të cilët shkojnë për qëndrim provizor në Itali. Njohja reciproke e patentave nënkupton mospërdorimin e mëtejshëm të patentave ndërkombëtare duke kursyer në këtë mënyrë kohën dhe shpenzimin që bëhet për përfitimin e kësaj patente, e cila përdoret për shtetasit që janë jashtë KE-së”, sqaroi dje zyrtari i MPPTT, Kujtim Hashorva.
Marrëveshja parashikon shumë procedura lehtësuese për sa i përket marrjes së dokumentave të vërtetësisë, duke eliminuar endjet dhe shpenzimet suplementare në zyrat tona konsullore por do të tërhiqen drejtpërdrejt nga zyrat e Motorizacionit Civil.
Në mbledhjen e Komisionit greko-shqiptar u vendos që të fillojnë të njëjtat procedura edhe me Greqinë.
“Qeveria shqiptare ka kryer ndërkohe aplikimin në organet kompetente komunitare për njohjen në nivel komunitar të lejes shqiptare së drejtimit”, sqaroi Hashorva më tej. Ndërkaq, gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm Italian në Shqipëri, Franko Fratini, është nënshkruar edhe marrëveshja për ndërtimin e Parkut Industrial të Koplikut. Në bazë të marrëveshjes, nëpërmjet një investimi prej 18.5 milion eurosh, shoqëria “Zona Industriale dhe Tregtare Koplik” në një sipërfaqe prej 61 ha parashikon hapjen 16.374 vendeve të reja pune, rrjedhojë e kryerjes së aktiviteteve në fushën e agropërpunimit, industrisë së lehtë dhe atë të shërbimeve.
...