E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: Altoparlantët e mashtrimit të Edi Ramës, protestuan para ministrit Franko Fratini me slogane komuniste

Partia Demokratike ka reaguar dje ndaj, kreut të PS-së Edi Rama dhe “nënkryetarit” Erion Veliaj, pasi këta të fundit, gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm Italian në vendin tonë Franko Fratini, protestuan me slogane komuniste dhe antiglobaliste.
Zëdhënësi i Parisë Demokratike, Gerti Bogdani, deklaroi dje se, “Edi Rama nxori nënkryetarin e tij Erion Veliaj, i cili ndërtoi vilën private me paratë e vjedhura nga organizata Mjaft!, më pas mori me vete edhe kompjuterin e financave për të mbuluar gjurmët e tij, për të protestuar para ministrit të Jashtëm të Italisë Fratini, me slogane komuniste, antiglobaliste. Rama, e bëri këtë ndaj një njeriu, miku të shquar të shqiptarëve dhe Shqipërisë, i cili solli lajmin e mirë dhe të shumëpritur të liberalizimit të vizave gjatë vitit 2009. Ndërsa sot, nxjerr një altoparlant tjetër të mashtrimit, për t’u thënë shqiptarëve se ajo nuk ishte mostra e ID-card-ës dhe pasaportës biometrike. Këto janë akte të padenja të Ramës, sepse shqiptarët dhe Shqipëria, te Silvio Berluskoni, qeveria e tij dhe Franko Fratini, kanë pasur gjithnjë miqtë më të shkëlqyer”, deklaroi Bogdani.
Sipas tij, në një kohë kur nënkryetari i tij, Erion Veliaj me 3 debatikas të tjerë, si antishqiptar i devotshëm, protestonte me slogane antiglobale, Franko Fratini shprehte vlerësimin dhe respektin më të madh për kontributin e gjysmë milioni shqiptarë që punojnë në Itali.
“Veç këtyre, nxori edhe zëdhënësen tjetër, jo Erionin, po Erionkën, që të thoshte se gjyshja e saj nuk është e interesuar dhe nuk e vret mendjen për NATO-n. I kujtojmë Ramës, se janë të pakët pinjollët e nomenklaturës së vjetër si ai, që nuk duan ta shohin Shqipërinë në NATO dhe shqiptarët në Evropë. I kujtojmë, se qindra mijëra shqiptarë e kanë pritur me padurim këtë ditë nga ‘44 deri më sot”, u shpreh më zëdhënësi i PD-së.
Në këtë këndvështrim, Partia Demokratike i kërkon Edi Ramës, “të gjejë forcën dhe kurajën, dhe të dalë të përshëndesë këto akte historik, sepse nuk e ka bërë akoma një gjë të tillë dhe pasi përfaqëson edhe ata qindra apo mijëra socialistë që janë ‘pro’ anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe që duan të lëvizin të lirë në Evropë”.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›