E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajneri Lëv në hall për skemat

Kombëtarja gjermane do të zhvillojë ndeshjen e parë miqësore pas mbylljes së sezonit në klube. Teksa pancerat mbyllën eliminatoret e Euro 2012-ës me tetë fitore, trajneri Joakim Lëv do testojë lojtarët e tij në Bazel kundër Zvicrës. Për teknikun gjerman do të jetë ndeshja e 77-të nga debutimi në gusht të 2006-ës dhe pritet të realizojë fitoren e 53-të. Në këto ndeshje Lëv ka nominuar 50 të rinj dhe debutanti i fundit pritet të jetë Julian Draksler. Edhe pse gjermanët luajnë vetëm për fitore, kjo miqësore do të shërbejë si një parantezë për të formuar formacionin e duhur për Euro 2012-ën. Teksa tetë lojtarët e Bajernit do mungojnë, trajneri Lëv ka vendosur se bavarezët janë të nominuar për Evropianin. Në këtë ndeshje, e cila do të luhet në Bazel në orën 18:00, Gjermania do ketë në dispozicion 19 lojtarë, ku për fat të keq 4 prej tyre duhet të kthehen në shtëpi, pasi rregullorja e ka që përfaqësueset duhet të kenë 23 futbollistë në Euro 2012. Dilema më e madhe qëndron te talenti Julian Draksler, Ilkai Gyndogan, binjakët Bender dhe njëri prej portierëve. Ndërkohë, trajneri Lëv është në pikëpyetje edhe për pozicionimin e kapitenit Filip Lahm dhe fantazistit Marko Rojs. Nuk është vendosur ende, nëse mbrojtësi i Bajernit do luajë në të majtë apo në të djathtë. Për sa i përket talentit të Dortmundit, ai shihet si mesfushor ofensiv. Kundër Zvicrës portieri Tim Vize do ta nisë titullar, ndërsa në sulm pritet të startojë Miroslav Klose. Trajneri i nënkampionëve të Evropës, Joakim Lëv,  planifikon eksperiment, ku pritet që të aktivizohen të 19 lojtarët.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›