E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtarizmi i gjuhës së shenjave

Zv/ Ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale, Filloreta Kodra theksoi se, “mungesa e standardizimit të gjuhës së shenjave jo vetëm ka krijuar një distancë të pajustifikuar deri tani, por ka vështirësuar në të njëjtën kohë arsimin, punësimin, marrjen e kujdesit shëndetësor dhe gjithë shërbimeve të tjera të domosdoshme për personat që nuk dëgjojnë e nuk flasin”.

Sipas saj, zyrtarizimi i gjuhës shqipe të shenjave është një hap i rëndësishëm, i cili do të vendosë në kushte të barabarta komunikimi personat me vështirësi në dëgjim me pjesën tjetër të shoqërisë”. “Shërbimi i interpretit të gjuhës së shenjave duhet futur menjëherë si në institucionet edhe administratën shtetërore ku ofrohen shërbime, edhe në të gjitha mjediset e tjera me rëndësi publike si një detyrim ligjor, që t’u sigurojë të drejtat që meritojnë këtij komuniteti”, vuri në dukje Zv/Ministrja Kodra

 Në këtë aktivitet Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Kabinetin e Kryeministrit të Kosovës, z.Habit Hajredini, solli eksperiencën pozitive të Kosovës, e cila ka zyrtarizuar gjuhën e shenjave, duke e vënë theksin në rëndësinë e këtij procesi. Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Njerëzve që nuk dëgjojnë në Shqipëri, z.Eduard Ajazi, falenderoi Ministrinë e Punës për inisiativën e marrë dhe u ndal në rëndësinë që ka për personat që nuk dëgjojnë zyrtarizimi i gjuhës së shenjave edhe në Shqipëri.

Gjatë takimit të sotëm është diskutuar dhe janë marrë mendime lidhur me inicimin e procesit për Zyrtarizimin e Gjuhës së Shenjave në vendin tonë. Aktiviteti i sotëm është në kuadër të aktiviteteve që shoqërojnë procesin drejt ratifikimit të Konventës së OKB për Personat me aftësi të kufizuar nga Parlamenti shqiptar. /Start/

                                                                                             2012-05-03 15:12
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›