E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çaço: Luftëtari e arriti suksesin, falë forcës së grupit

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI 

Mesfushori beratas, Elvis Çaço, dha kontributin e tij në rezultatet e ekipit gjirokastrit, me të cilin dëshiron të jetë edhe sezonin tjetër

Mbrojtësi gjirokastrit, Ylli Shameti, preferoi  të vishte fanellën e Tomorit për sezonin e fundit, duke luajtur në Superligë, edhe pse në qytetin e tij i afruan edhe rolin e nënkryetarit të bashkisë, kurse  beratasi Ervis Çaço, mesfsuhor i krahut të djathtë, erdhi te Luftëtari, që luajti në të parën. Sidoqoftë, Gjirokastra dhe Berati janë dy qytete me mjaft ngjajshmëri

Drejtuesit e Luftëtarit, për sezonin e ri,  sikundër kanë bërë të ditur, synojnë që në përbërje të ekipit të kenë Shametin, por edhe gjirokastritin tjetër, mesfushorin Fejzo Shenaj, i cili luajti për Shkumbinin, ndërkaq Çaço nuk do të refuzonte, që edhe një sezon tjetër të luante me ngjyrat gjirokastrite.

Ai ka qenë titullar dhe nuk është aktivizuar vetëm në 2 ndeshje të fazës së parë, ndërkohë që është edhe autor i një dygolshi në ndeshjen me Ilirinë në Gjirokastër.Ndihmesa e tij për suksesin e Luftëtarit është e pamohueshme, sepse ka qenë një furnizues i mirë i sulmit të Luftëtarit.

Çaço Duke folur për suksesin e Luftëtarit, Çaço thekson se gjithçka u arrit, falë forcës së grupit: Edha me kënaqësi te Luftëtari në fillim të sezonit dhe jam i gëzuar që nuk dolëm të zhgënjyer, pasi jo vetëm që kaluam shumë mirë nga ana e shoqërisë, por arritëm të fitonim edhe titullin kampion të Kategorisë së Parë me shumë ndeshje rezultative, madje edhe spektakolare.

Këtë nuk e kemi bërë vetëm në Gjirokastër, ku arritëm 15 fitore në po kaq ndeshje, por edhe jashtë fushe. Krahas kujdesit që treguan drejtuesit e ekipit, me në krye kryebashkiakun Flamur Bime, them se rol të rëndësishëm për suksesin e Luftëtarit pati përbërja. Kishim lojtarë me përvojë dhe vizion loje, por në thelb u bazuam te forca e grupit.

Po ashtu, dua të përmend se të dy stafet, Hysi-Ciko dhe Dede-Novi, treguan profesionalizëm në punën e tyre. Pa dyshim që Superliga ka më shumë kërkesa, por besoj se do të formohet ekipi i përshtatshëm për ti përballuar me dinjitet sfidat e reja. Personalisht, nuk e fsheh faktin se dëshiroj të jem pjesë e Luftëtarit edhe për sezonin 2012-2013. Sido që të jetë, uroj që Luftëtari ti gëzojë tifozët e tij me lojë rezultative dhe tërheqëse.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›