E Shtunë, 31 Tetor 2026

KS i OKB-së vazhdon të mbetet i përçarë sa i përket Kosovës

KS i OKB mbeti i përçarë për Kosovën. Rusia dhe Serbia kundërshtuan propozimet e sekretarit të përgjithshëm të OKB, ndërsa vendet tjera e mbështetën atë. Në seancën e zhvilluar në KS e OKB-së në Nju Jork ishin edhe presidentët Fatmir Sejdiu e Boris Tadiç, si dhe Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun, i cili tha se në mungesë të konsensusit OKB-ja do të qëndrojë neutrale për statusin e Kosovës.

“Nën drejtimin e Administratës së Kombeve të Bashkuara, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm nga konflikti drejt paqes, në krijimin dhe konsolidimin e institucioneve qeverisëse demokratike dhe në krijimin e një baze të qëndrueshme ekonomike. Jo gjithçka është arritur por ne kemi kaluar një rrugë të gjatë dhe ne duhet të jemi të sigurt se pas ndryshimeve të fundit të situatës nuk do të humbasim atë që kemi arritur me aq mund”, - theksoi Ban Ki Mun. Bani, duke e quajtur problemin e Kosovës si më të ndërlikuarën në karrierën e tij, ka deklaruar se OKB do të zvogëlojë prezencën civile në Kosovë, duke ju përshtatur realitetit të ri pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës dhe një pjesë e kompetencave në sundimin e ligjit dhe policinë, do të kalojnë tek misioni i Bashkimit Evropian. Edhe presidenti i Republikës së Kosovës Fatmir Sejdiu, ka kërkuar zvogëlim të prezencën së UNMIK-ut, derisa të funksionalizohet prezenca civile e Bashkimit Evropian. “Kemi çmuar iniciativën e juaj për rikonfigurimin e prezencës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë përkatësisht të UNMIK-ut, duke pasur parasysh nevojën e përbashkët që kjo të ndodh në një kohë të limituar përderisa prezenca e EULEX-it të jetë e gatshme të marrë përsipër përgjegjësi të reja”.

Nga ana e tij Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka ndalur në procesin e kthimit të serbëve të zhvendosur dhe ka mbrojtur Beogradin duke thënë se Serbia ka sot një demokraci legjitime dhe nuk është i shmangur asnjëherë procesit negociator.

“Nëse zoti Sejdiu është duke thënë se politika aktuale e Serbisë është duke e kthyer prapa situatën e vitit 1999, unë nuk pajtohem me të, pasi që ne nuk jemi duke bërë luftë, nuk jemi duke kërcënuar por ne jemi duke u përpjekur për të gjetur një zgjidhje konsensuale. Në të njëjtën kohë ne jemi duke respektuar ligjet ndërkombëtare", - tha Presidenti Tadiç me fjalën e të cilit nuk është pajtuar sërish Presidenti Sejdiu. “Pikërisht nga ana e Serbisë bëhen përpjekje për të mbajtur në tension zhvillimet në Kosovë”, - tha Presidenti Sejdiu.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›