E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha zbardh rritjen e pagave

“Arsimtarët 14 për qind, infermierët 15 për qind”

“Pagat e larta, 4 për qind, të ulëtat 17 për qind”

Pas pensioneve, qeveria ndërmerr një tjetër reformë, këtë radhë duke u ardhur në ndihmë buxhetorëve të shtetit. Kryeministri Sali Berisha zbardhi dje draftin e rritjes së pagave të administratës shtetërore, projekt i cili ngushton ndjeshëm diferencën mes pagave të larta dhe atyre të ulëta. Sipas Kryeministrit, në këtë mënyrë merr fund diferenca brezhnevjane e pagave të trashëguara nga paraardhësit tanë. Ndaj, përmes vendimit të ri të qeverisë, do të “ndëshkohen” buxhetorët që marrin rroga të larta, me një rritje të vogël, dhe përfitojnë ata që paguhen me rroga të ulëta nga shteti me një rritje më të lartë. Kryeministri Sali Berisha premtoi se më 1 korrik do të përfitojnë rritje page mësuesit dhe infermierët. Gjithashtu nga 1 korriku do të ketë një rritje më të madhe të pagave minimale, por nuk do të mbeten pas dhe pagat e larta, të cilët do të përjetojnë një rritje më të vogël se pagat e tjera. Kjo bëhet për shkak të qëndrimit të qeverisë, për të shkurtuar diferencën mes pagave shtetërore. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, z. Berisha informoi se “rrogat e arsimtarëve rriten me 14 %, rritje kjo që mundëson dyfishimin e plotë vitin e ardhshëm për rrogat e rreth 43 mijë arsimtarëve në mbarë vendin”. Kryeministri vlerësoi se pavarësisht se kjo rritje krijon një çrregullim të përkohshëm, pasi rrogat e arsimtarëve me këtë rritje, sidomos me dyfishimin, bëhen të njëjta ose pak më të larta se kategoritë e tjera të punonjësve, që normalisht kanë një diferencë në rroga, por ky çrregullim do të zgjidhet gjatë viteve në vazhdim. “Për ne e rëndësishme është të mbajmë premtimin elektoral dhe të dyfishojmë rrogat në vitin 2009”, - u shpreh z. Berisha. Në të njëjtën masë, sipas Kryeministrit, do të përfitojnë edhe rrogat e 12 mijë infermierëve dhe 4 mijë mjekëve, pagat e të cilëve do të rriten me 15 %, duke përfituar një rritje të ndjeshme në përputhje me premtimin e qeverisë për dyfishimin e rrogave të infermierëve. Berisha bëri të ditur se “rrogat e larta rriten aq sa është indeksi i inflacionit, 4 %. Rrogat e tjera rriten 7%, rrogat e ulëta rriten 17 %”. “Pra ne kemi ndjekur tërësisht linjat e premtimeve tona, në politikën e pagave, politikë kjo që nuk është se nuk krijon ndonjë deformim, por nga ana tjetër duke pasur parasysh aftësinë e jashtëzakonshme të arsimit, ky sektor bëhet i preferueshëm për ata që shkollohen për mësimdhënie dhe po kështu infermierët që kanë një punë jashtëzakonisht të vështirë, do të mund të shpërblehen më njerëzisht për punën e tyre shumë të vështirë që bëjnë”, - nënvizoi më tej Kryeministri. Por edhe punonjësit e tjerë kanë një rritje të re nga vendimi i qeverisë. “Pagat e ulëta në përputhje me premtimin pësojnë rritjen më të madhe, ato pësojnë një rritje prej 17 %. Si qeveri e zotuar për të ngushtuar diferencën brezhnevjane nga paga të trashëguara nga paraardhësit tanë, rrogat e larta i rrisim vetëm 4%”, - u shpreh Kryeministri Berisha.

Sa përfitojnë buxhetorët

Pagat e arsimtarëve do të rriten me 14 %

Pagat e infermierëve, me 15 %

Pagat e larta rriten me 4 %

Rrogat mesatare rriten me 7 %

Rrogat e ulëta rriten me 17 %

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›