Gota e mbushur deri në gjysmë
Mënyra e vlerësimit dhe mendimit të çdo ngjarjeje ndryshon ndonjëherë tërësisht nga forma se si individët i konceptojne gjërat. Kjo vjen si rrjedhojë e formimit dhe botëkuptimit që ka çdo person, njohuritë që ai ka si dhe mënyra se si ai i ka shtjelluar këto njohuri. Të jetosh në Shqipëri është një mundësi shumë e mirë për një sociolog, politikan, psikolog apo filozof. Shumë nga ju do të pyesnin përse? Ky vend i vogël ka aq shumë anë të çuditshme dhe tërheqëse sa në çdo moment mund të zbulosh diçka të re nëse tregohesh pak i kujdesshëm. Një personi që jeton diku jashtë Shqipërisë, shumë ngjarje i duken shumë të pazakonta në realitetin shqiptar. Këtu ai gjen dy aspekte shumë të ndryshme nga njeri-tjetri. Ai gjen zhvillimet më të fundit të teknologjisë dhe krahas tyre menjëherë mund të shikojë fragmente të shekullit të 19. Ai gjen vatra kulture që mund të jenë shembull edhe për civilizimin Perëndimor por menjëherë pranë të tyre mund të shikojë mbetje të injorancës nga mesjeta. Në rrugë shikon mbeturinat dhe gjendjen e masakruar e ambientit dhe çuditet se kur shikon njerëzit që kalojnë me veshjet e tyre tejet të rregullta dhe të modës së fundit nuk i jep dot përgjigje pyetjes se kush e ka sjellë ambientin në këtë gjendje. Në fakt sociologët mund t’i japin përgjigje duke e shpjeguar dhe e arsyetuar me shumë fakte dhe argumente por unë si një individ dhe qytetar i thjeshtë përsëri do t’iu thoja që çdo fjalë megjithëse mund të shpjegojë gjendjen ajo nuk e justifikon çdo gjë. Kur kalojmë nga sociologët te klasat politike është më se normale që partitë maxhoritare të shikojnë dhe të reklamojnë pjesën e mbushur të gotës duke shkuar deri aty sa te thonë që edhe pak derdhet. “Çdo gjë është shumë bukur”. “Nuk ka asnjë problem, edhe nëse ka është në zgjidhje e sipër” etj, etj. Ndërsa opozita gjithmonë synon të bëjë tellallin se çfarë është bosh. “Çdo gjë ka mbaruar”. “Jemi vendi më i varfër në botë”. “Vazhdojmë të jetojmë akoma në mesjetë” . E plot gjëra të tilla që jo vetëm që nuk pasqyrojnë realitetin por prishin edhe rehatinë shpirtërore dhe psikologjinë e të gjithë njerëzve. Te gjithë këto raste e çojnë gjendjen në një pozicion që shumë njerëz ndodhen të turbulluar dhe e kanë të vështirë të kuptojnë të vërtetën me gjithë elementët e saj. Duke pasur parasysh këtë realitet unë do të thoja se një punë shumë të rëndësishme duhet ta beje ajo shtresë intelektuale e depolitizuar e cila ndihet e përgjegjshme në informimin dhe sensibilizimin e çdo individi për të rritur nivelin e kulturës politike dhe sidomos atë qytetare në shoqërinë shqiptare. Për realizimin e kësaj, here pas here duhet të motivojnë popullin për vlerat që ka dhe here pas here tja bëjnë të ditur mangësitë që duhen rregulluar. Çdo individ i kësaj shoqërie që e zotëron një kulturë qytetare së pari, duhet të tregohet objektiv në vlerësimin dhe dhënien e opinioneve në lidhje me realitetin. Së dyti, këto individ duhet të jenë një shembull i gjallë për çdokënd që e rrethon dhe jo ta lë këtë vlerë të tij të shpalosur vetëm në teori. Ka një vërtetësi që të gjithë ne duhet ta dimë: “Vendi ynë nuk është një gotë bosh, por e mbushur, megjithëse deri në gjysmë”.