E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çarjet e mureve ndajnë më dysh shkollën 9-vjeçare

Golem/ Prej dy vjetësh nxënësit janë të ndarë në tre godina të ndryshme ku vijojnë mësimin me orë të shkurtuara


KAVAJË - Shkolla 9-vjeçare e Golemit ka më shumë se dy vjet që rrezikon të shembet. Gjysma e godinës së kësaj shkolle është jashtë funksionit për faktin se muret e saj arrijnë deri në disa centimetra çarje. Aktualisht, nëntë klasa qëndrojnë të kyçura, pasi përveç çarjeve në mure e tavane, edhe dyshemeja ka filluar të lakohet, duke krijuar valëzime.


Problemi


Frika për shembjen e gjysmës së shkollës vazhdon t'i shoqërojë nxënësit e mësuesit që prej vitit 2007, kohë kur nisi edhe krisja e suvatimeve të mureve ndarëse. 700 fëmijët e shkollës 9-vjeçare të Golemit mësojnë me dy turne dhe me një ngarkesë të madhe mësimore, pasi orët e mësimit janë të shkurtuara, ndërsa programi mësimor u jepet i plotë.


Për rrezikun që i kanoset këtij institucioni arsimor janë vënë në dijeni të gjitha instancat lokale dhe qendrore, por me sa duket ndërhyrja jo vetëm që është shumë e vonuar, por nuk ka as shpresa se do të ndodhë gjatë këtij viti shkollor. Drejtori i shkollës, Sulejman Hidri, thotë se kjo shkollë ka mbi 50 vjet që është ndërtuar, por problemi qëndron tek bazamenti i saj.


"Para tre vjetësh, këtu është bërë një ndërhyrje për rikonstruksionin e shkollës, por vetëm në gjysmën e saj (nga ana e komunës). U vendosën 4 kollona mbajtëse, dy nga jashtë dhe dy në mes të godinës dhe u riparuan pjesët e dëmtuara të suvatimit apo mureve.


Por, pas ndërhyrjes filloi lëvizja e gjysmës tjetër. Kemi bërë aq shumë kërkesa, sa nuk ka ku vete më, por ju e shikoni vetë gjendjen në të cilën gjendemi",- thotë Hidri dhe tregon me dorë tavanet e muret e çara.


Sistemimi


Nxënësit e shkollës 9-vjeçare të Golemit janë shpërndarë në tre institucione të ndryshme: nëntë në klasat funksionale të shkollës, katër tek shkolla fillore dhe pesë të tjerat tek godina e gjimnazit.


Por ata që mësojnë tek gjimnazi duhet të dalin prej aty gjatë kësaj jave, pasi stafi pedagogjik ka programuar lyerjet e shkollës dhe disa rregullime infrastrukturore. Kështu, 18 klasat e arsimit 9-vjeçar në Golem do të ndahen me dy turne, 9 paradite, 9 pasdite.


Fëmijët janë shprehur që e kanë shumë të vështirë ta zhvillojnë mësimin pasdite, pasi shtrirja gjeografike e zonës është e madhe dhe atyre iu takon të kthehen natën në shtëpi.


Ndërsa shefi i Urbanistikës pranë komunës së Golemit, Astrit Berati, ka shpjeguar se kërkesat e drejtorisë së shkollës janë përcjellë drejt Ministrisë së Arsimit dhe çështja ka mbetur atje tashmë.


"Ne si komunë kemi hartuar edhe një projekt për ndërtimin e një shkolle të re, pasi nga studimet e bëra në shkollën ekzistuese, nga specialistët e komunës, rezultoi që bazamenti i saj është i paqëndrueshëm.


Muret e saj nuk mbajnë më shtesa, kollona apo izolime të çarjeve...". Ndërkohë, nën premtimin "Shqipëria në moshën e internetit" në shkollën e Golemit kanë mbërritur kompjuterat, të cilët qëndrojnë në një kënd tavoline në zyrën e drejtorisë së shkollës.


I vetmi kompjuter që përdoret, është ai i drejtorisë, pasi aty llogaritet se ku do të zhvillohen lëndët e detyrueshme të programit mësimor, për shkak të mungesë së ambienteve.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›