Kalonin klandestinë në Greqi, dy në pranga
KORÇË- Trafiku i klandestinëve merr goditje në juglindje, ndërsa dy vetë përfundojnë në pranga. Plot 10 persona do të kalonin ilegalisht kufirin me Greqinë nëpërmjet rrethit të Devollit, ndërsa shuma që duhet të paguanin kapte vlerën e 1 mijë eurove.
Arrestimet nën akuzën për trafik klandestinësh kanë ndodhur rreth orës 8:00 të mëngjesit të së mërkurës pas një pune të mirorganizuar të Drejtorisë së Policisë në Korçë.
Ilir Karapanxha, 28 vjeç, si dhe Kostandino Riza, 33 vjeç, kanë përfunduar në pranga në kushtet e flagrancës në qytetin e Bilishtit, teksa po çonin dhjetë vetë drejt fshatit kufitar të Mirasit në rrethin e Devollit.
Përmirësimi i kushteve të motit ka nxitur klandestinët të lënë Shqipërinë dhe të shkojnë në shtetin fqinj grek për të punuar. Ndërsa çmimi i një udhëtimi në këmbë varion nga 1 mijë deri në 2 mijë euro, në rastin e klandestinëve ,të cilët ishin të gjithë nga Mati dhe i përkisnin seksit mashkull, çmimi shkonte në 1 mijë euro për person.
Dy të arrestuarit i kanë siguruar klientët nga një tjetër anëtar i rrjetit, teksa nga Korça i kanë transportuar ata drejt rrethit të Devollit në dy furgonë, njëri me targë KO 0249 A dhe tjetri KO 3604 B. Klandestinët janë kapur në qytetin e Bilishtit gjatë tentativës për të shkuar në fshatin Miras në rrethin e Devollit.
Grupi i tyre do të kalonte në këmbë në Greqi, teksa në tokën greke do të hipnin në një mjet me targa greke që do t'i transportonte drejt qytetit të Selanikut, ku kishin dhe destinacionin e tyre.
------------------------------------------------------
"Bishtpëllumbi" prangos të riun me 5kg hashash
KORÇË- Transportonte hashash me furgon, përfundon në pranga 24-vjeçari. Policia e Korçës ka çuar në pranga një të ri nga qyteti i Ersekës, i cili ka tentuar të transportojë nëpërmjet doganës së Tre Urave një sasi prej 5 kg bimë narkotike të llojit kanabis sativa. Armir Qazimi është arrestuar rreth orës 09:30 të paradites të së mërkurës në aksin Korçë-Ersekë nga forcat e policisë në një postbllok, gjatë një kontrolli rutinë.
I riu, sipas burimeve të policisë lokale, mendohet të ketë marrë ngarkesën në qytetin e Korçës për ta çuar atë nëpërmjet pikës së kalimit të Tre Urave në shtetin grek. Ai është kapur në vendin e quajtur Ura e Dukës teksa policia kishte informacion për sasinë e drogës që pritej të ishte edhe më e madhe.
Droga e paketuar ishte fshehur në një çantë sportive, të cilën udhëtari i furgonit e kishte lënë në pjesën e bagazhit. Fillimisht ai nuk ka pranuar të kishte me vete çantë, ndërsa kanë qenë udhëtarët e tjerë të furgonit, të cilët e kanë detyruar të thotë të vërtetën.
Policia e Korçës bën të ditur se arrestimi i të riut nga Erseka me 5 kg hashash është vetëm fillimi i operacionit të koduar "Bishtpëllumbi", ndërsa priten dhe ndalime të tjera për të shkatërruar një rrjet të mirorganizuar që funksionon në zonën e Shqipërisë Juglindore.