Presionet nga PD, PBDNJ vendos sot për koalicionin
Jo zyrtarisht, anëtarët e kryesisë shprehen se do të dalin të pavarur, ose do të lidhin koalicion me PS-në
TIRANË- Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut do të marrë sot një vendim përfundimtar për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Edhe pse pritej që dje të merrej një vendim, anëtarët e kryesisë së kësaj partie, pas dy mbledhjeve të tejzgjatura, nuk kanë mundur dot që të marrin një vendim përfundimtar se me cilën forcë politike do të lidhin koalicion.
Përplasjet brenda strukturave të kësaj partie, por edhe presioni jo i vogël nga ana e qeverisë për të lidhur marrëveshje me këtë të fundit, ka bërë që PBDNJ-ja vetëm sot të dalë me një qëndrim përfundimtar.
Pavarësisht se anëtarët e kryesisë ishin të paqartë për vendimin përfundimtar, dje ata janë shprehur se vendimi i tyre më shumë anon nga e majta. Në të kundërt, ata shohin mundësinë që të dalin edhe të pavarur, edhe pse, në fakt, një formulë e tillë, nuk do t'i favorizonte aspak me ndryshimin e sistemit të ri zgjedhor.
Duke qenë pjesë e qeverisjes 4-vjeçare të qeverisë së Kryeministrit Sali Berisha, PBDNJ-ja e Vangjel Dules është gjetur mes vështirësish për nënshkrimin e marrëveshjes.
Vetë Dule ishte kritik ndaj Berishës, javën e shkuar, në kongresin elektoral të partisë, gjë që bëri të mendohej se PBDNJ-ja nuk do të mendohej shumë për të nënshkruar një marrëveshje me Partinë Socialiste.
Edhe dje, pak orë para se në amfiteatrin e Akademisë së Arteve, Edi Rama të shpallte zyrtarisht koalicionin me PSD-në, PDS-në dhe G99-ën, u tha që do të ishte edhe PBDNJ-ja, por që më pas u mohua nga zyrtarët e kësaj partie.
Dje, në krah të Ramës ishte vetëm Gjinushi, Milo e Veliaj. Por PS-ja ka deklaruar se është e hapur edhe për 48 orët e ardhshme që të zgjerojë koalicionin parazgjedhor me të tjera parti, duke iu referuar në mënyrë të veçantë partisë së Dules.
Gjithsesi, PBDNJ-ja, parti që për shkak të specifikës së saj, si parti e minoritetit, ka qeverisur si me të djathtët edhe me të majtët, pritet te vendosë sot për nënshkrimin.