Nuk kam kryer transaksione nga Shqipëria në Zvicër
Fazlliç
TIRANË- Pavarësisht se Prokuroria e Përgjithshme i cilëson të pezulluara dhe jo të pushuara hetimet ndaj biznesmenit serbo boshnjak, Damir Fazlic, ky i fundit deklaron se çështja për të është e mbyllur.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, i shoqëruar nga avokati i tij, njeriu për të cilin muaj më parë nisën hetimet për pastrim parash dhe i njohur si mik i Berishës, ngre zërin kundër Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama.
"Sinqerisht shpresoj që çështja ime do t'i vihet si një mësim me kujdes Prokurores së Përgjithshme, e cila besoj se më ka borxh një ndjesë publike për dëmin e bërë ndaj meje dhe interesave të mia.
Shpresoj që ajo të mësojë që të mos konsumohet nga pushteti dhe të rrijë larg lojërave politike duke respektuar të drejtat ligjore dhe humane të çdokujt duke përfshirë edhe investitorët e huaj dhe bizneset",- u shpreh Fazliç.
Serbo-boshnjaku Fazlliç i njohur ndryshe si miku i kryeministrit Sali Berisha , pranoi vetëm dy pyetje, duke refuzuar pyetjet e gazetarëve të shumtë që ndodheshin në sallën e konferencave në një nga Hotelet që ndodhet në Tiranë, ku edhe prej dy ditësh qëndron.
Gjithashtu, gjatë fjalës së tij para medias, edhe përkundër verifikimeve të kryera nga prokuroria, Fazlliç mohoi se ka kryer transaksione bankare nga Shqipëria për në Zvicër, por në të kundërt, siç tha, nga llogaritë e huaja në drejtim të vendit tonë. F.V.