E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregu valutor, BSH-ja ndërhyn për të frenuar rënien e lekut



Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë sërish në tregun e këmbimit për të frenuar zhvlerësimin e monedhës kombëtare, lekut. Drejtuesit e agjencive valutore bëjnë të ditur se ditën e djeshme BSH-ja ka shitur një sasi të konsiderueshme valute me qëllim shtimin e saj në qarkullim. Ky veprim synon të ekuilibrojë deri dilu kërkesë-ofertën në tregun e këmbimit dhe të balancojë vlerën e monedhave. Si pasojë, euro ka pësuar një rënie prej 0.5 lekësh kundrejt ditës së djeshme. Rënie ka pësuar edhe dollari si pasojë e ecurisë së bursave ndërkombëtare, në këto të fundit euro është forcuar duke u këmbyer me 1 dollar e 29 cent. Ndërkohë në agjencitë e këmbimit, monedha amerikane blihet me 101.5 lekë dhe shitet me 102 lekë, ndërsa euro tregtohet me 130.8 lekë në blerje dhe me 131.3 lekë në shitje. Agjentët në tregun e këmbimit shpjegojnë se gjatë ditëve të ardhshme pritet një rënie e mëtejshme e euros për shkak së ndërhyrjes në treg të BSH-së. Gjatë muajve të fundit, leku është zhvlerësuar ndjeshëm kundrejt valutave, një situatë që ka rënduar të gjithë qytetarët që kanë marrë kredi në valutë, por edhe konsumatorët që po përballen me rritjen e çmimeve në treg si pasojë e shtrenjtimit të importeve.

Ankandi i BSH-së, dalin në shitje 8.9 miliardë lekë bono thesari

Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, përfundoi dje ankandin e radhës për shitjen e bonove të thesarit. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në ankand janë shitur bono me maturim 6 dhe 12-mujor, që do të përdoren për bankat e nivelit të dytë dhe për Bankën e Shqipërisë. Vlera totale e shitur në ankand është 8.9 miliardë lekë. Për bonot me maturim 12-mujor nga 16 kërkesat konkurruese të paraqitura u pranuan 15 prej tyre. U kërkuan për shitje bono me vlerë 6.111.670.000 lekë dhe u shitën bono me vlerë 6.100.000.000. Yield-i maksimal i pranuar është 8.25 për qind, yield-i minimal i pranuar është 8.1 për qind, yield-i mesatar i thjeshtë është 8.15 për qind dhe ai mesatar i ponderuar është 8.17 për qind. Këto bono maturohen më datë 28.03.2010. Për bonot me maturim 6-mujor u pranuan 7 nga 10 kërkesat konkurruese të paraqitura dhe u shitën 2.800.000.000 lekë nga 3.471.600.000 lekë që ishte vlera e kërkuar. Ndërkohë që yield-i maksimal i pranuar është 7.53 për qind, yield-i minimal është 7.38 për qind, ai mesatar i thjeshtë është 7.44 për qind dhe ai mesatar i ponderuar është 7.51 për qind. Këto bono do të maturohen më datë 20.09.2009.

14 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›