E Diel, 1 Nëntor 2026

CEB jep 40 milionë euro për financimin e rrugëve dytësore në Shqipëri



Banka e Këshillit të Europës për Zhvillim “CEB” i ka akorduar Shqipërisë 40 milionë euro për financimin e projektit të rrugëve dytësore, - bëri të ditur dje Ministria e Financave.
Sipas saj, një delegacion i Ministrisë së Financave, i kryesuar nga zëvendësministri Sherefedin Shehu, negocioi me Bankën e Këshillit të Europës për Zhvillim për financimin e projektit të rrugëve dytësore në Shqipëri. "Pas negociatave dyditore, CEB-i ka rënë dakord të financojë 40 milionë euro ose 51 milionë USD. Në këtë mënyrë, projekti bëhet efektiv menjëherë dhe do të fillojnë procedurat e tenderimit", - deklaroi Ministria e Financave. Financimi i CEB-it prej 40 milionë eurosh, me kushte shumë të favorshme, duke iu bashkuar financimeve të akorduara nga IDA, Fondi OPEC dhe IPA, sigurojnë një shumë prej rreth 96.4 milionë dollarësh për këtë projekt, ndërkohë që do të vijojnë negociatat edhe me institucione të tjera për të siguruar financimin e nevojshëm. Projekti në total ka një vlerë prej rreth 400 milionë dollarësh dhe financimet do të përdoren për rrugë me ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të zonave rurale.

Spanja, 17 milionë euro për zhvillimin rural në Shqipëri

Agjencia Spanjolle për Bashkëpunim Ndërkombëtar ka dhënë vitet e fundit një kontribut të rëndësishëm në rritjen e burimeve të financimit për kreditimin e aktiviteteve prodhuese në zonat rurale të Shqipërisë. Kjo Agjenci operon në vendin tonë që prej vitit 2004 dhe gjatë këtij viti ka hedhur edhe bazat për një bashkëpunim të frytshëm në interes të financimit për biznesin e vogël në fshat. Burime nga kjo agjenci bënë të ditur se një nga bashkëpunimet kryesore të saj është ai me Unionin Shqiptar të Kursim-Kredisë. Deri tani, ky Union ka përfituar tri hua nga Instituti i Kredisë së Mbretërisë së Spanjës (ICO): viti 2005, 2 milionë euro, viti 2007, 5 milionë euro dhe viti 2009, 10 milionë euro, kredi që kanë mbështetur zgjerimin e aktivitetit të huadhënies për sektorin rural shqiptar. Agjencia Spanjolle për Bashkëpunim Ndërkombëtar, në partneritet të plotë me Ministrinë e Bujqësisë, po kontribuon me asistencë teknike në krijimin e kooperativave bujqësore në disa zona të vendit, si dhe në kategorizimin e tokave bujqësore për mbjelljen e ullinjve e vreshtave.

14 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›