Gara e 100 metrave ne Londer me e shpejta ne histori

Gjithçka varej nga ai, nga Usain Bolt. Veçse, në pistë ishin edhe 7 atletë të tjerë, ajka e garës së 100 metrave. Ky spektakël i madh nuk zhgënjeu duke u bërë konkurrimi më i shpejtë në histori dhe duke përfunduar me triumfin e merituar të “Rrufesë” xhamajkane.
Plot 7 sprintierë vrapuan 100 metrat nën kohën 10 sekonda, ndërsa 4 vjet më parë, në Olimpiadën e Pekinit, këtë e kishin vetëm 6 prej tyre. Madje, do të kishin qenë të gjithë nën 10, veçse Asafa Pauell u ndalua nga një dëmtim në metrat e fundit, ndaj edhe nuk mund të llogaritet si pjesë e kohës mesatare.
Vetë kampioni Bolt vrapoi më shpejt, me 9”63 ndaj 9”69 duke qenë kjo kohë një rekord i ri olimpik.
Kaq shpejt u vrapua në mbrëmjen londineze, rreth orës 23:00 të 5 gushtit, saqë 5 prej vendeve të para e përfunduan konkurrimin me kohë më të mirë sesa fituesi i medaljes së argjendtë në Pekin, që ishte Riçard Tompson nga Trinidad e Tobago dhe që dha kohën 9”89.
Tre atletët e podiumit ishin që të gjithë nën 9”80, ndërsa mëkati i vetëm mbetet vetëm mosthyerja e rekordit botëror nga ana e Boltit. Kampioni absolut i 4 viteve të fundit mbeti vetëm 4 të qindat nga koha legjendare 9”58, veçse ai erdhi në këtë Olimpiadë mes dyshimeve dhe dëmtimeve.
Ndoshta shpërthimi në Lojrat Olimpike mund ta bëjë atë që ta ulë edhe më tej në të ardhmen limitin e shpejtësisë njerëzore.