E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sivjet, mesin

Në sezonin e ri Vëllaznimi do të luftoj për mesin e tabelës, por jo edhe për titull të kampionit, siç bëri në edicionin e kaluar. Kështu thotë trajneri i kuqezinjve, Skënder Shengyli. Sipas këtij të fundit, Vëllaznimi nuk mund të kërkoj diçka më shumë kur dihet se është ekipi i fundit që i ka nis përgatitjet për sezonin e ri, edhe atë pa disa lojtarë kyç, e me vetëm pak përforcime.

Në edicionin e kaluar, Vëllaznimi e luajti një rrol të rëndësishëm në Superligë, duke luftuar për titull të kampionit, por kah fundi i kampionatit u dorëzua dhe përfundoi sezonin në vendin e tretë, pas Prishtinës e Trepçës ‘89.

Mirëpo, vështirë se gjakovarët do të mund ta luajnë një rrol të ngjashëm edhe në edicionin e ri. Në fakt, me të përfunduar kampionati i fundit, si zakonisht klubi kuq e zi u zhyt sërish në krizë financiare. Kjo bëri që gjatë kësaj vere skuadrën ta braktiset disa futbollistë të rëndësishëm, si: Kushtrim Mushica, Fatih Karahoda, Agron Skeraj, Rafet Mullallari, Ardian Thaçi, etj.

Mirëpo, para pak kohësh ky klub nisi të zgjohet nga gjumi, falë intervenimit të Komunës së Gjakovës, dhe i nisi përgatitjet për edicionin e ri, me më së shumti vonesë në dallim prej ekipeve tjera.

Fillimisht kuqezinjtë nisën t’i blindojnë disa lojtarë që ende nuk u kishin ikur, e më pas e emëruan trajner Skënder Shengylin, e njëkohësisht i siguruan shërbimet e Dardan Rugovës, Valon Kasapit, Feim Statovcit e Alban Gucit. Ndërsa, tani janë në kërkim të dy sulmuesve të rinj, eventualisht edhe të ndonjë lojtari tjetër, por kokën e kanë kthyer edhe kah juniorët e tyre. Por, gjithë këto zhvillime, sipas Skënder Shengylit, mund të ndikojnë negativisht në paraqitjet e ekipit të tij në edicionin e ri.

“Jemi ekipi i fundit që i kemi nis përgatitjet, pa disa lojtarë të rëndësishëm, ndërsa tre – katër lojtarë të mbetur, në të cilët shpresohet se do të jenë bartës, i kanë nisur me vonesë edhe më të madhe stërvitjet, kështu që përgatitja fizike në ekipin tonë është në nivelin ndoshta zero, kur kanë mbet edhe dy-tri javë deri në fillim të kampionatit”, ka thënë Shengyli. Andaj Shengyli thotë se nuk do t’i takoj faji atij, nëse Vëllaznimi paraqitet më zbehtë në edicionin e ri, në dallim prej kampionatit të kaluar.

“Varët shumë nga ata lojtarë se a do t’ia dalin apo jo të përgatiten siç duhet brenda këtyre pak javëve deri në fillim të kampionatit. Varët se a do të mund të komponohen shpejt mes veti, unë shpresoj që kjo të ndodh”, theksoi ai.

Megjithatë, trajneri prizrenas bëhet real dhe pranon se në edicionin e ri, apo të paktën në sezonin vjeshtor, vështirë do të jetë për Vëllaznimin të paraqitet si në kampionatin e kaluar.

“Objektiv i joni duhet të jetë mesi i tabelës, aty diku afër pozitave të pjesës së epërme të tabelës”, përfundoi Shengyli, i cili Vëllaznimin e pati udhëheq edhe në pjesën më të madhe të sezonit vjeshtor në kampionatin kaluar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›