“Çdo të thotë ky 50 mijë leksh për pensionistët”
50 dollarë e pak nuk janë çështje e thjeshtë për pensionistët tanë fukarenj, aq sa, nëse llogariten si dhuratë, e sidomos nëse llogariten si dhuratë kryeministri, marrin nje fuqi dhe nje vlere simbolike; 50 e pak dollarë mund të mbartin energjinë e nevojshme per të provokuar simpati tek të mjerët; 50 dollarë dhuratë qeverie, ngjajnë me një çast shpërthimi hyjnor; pensionistëtdo mund të jenë një hap larg një çasti lumturie te virgjër; ata, gjithsesi, nuk do të ndihen jetimë në shkallëzimin e ri të kujtesës; ata nuk do të përfillin furinë e mbarimit të jetës përpara, në po atë masë që gjithashtu do të shpërfillin ndjesinë e egër të indiferencës në një botë indiferente; 50 dollarë për ta janë lajm i mirë, realitet i mirë, mrekulli, ngushëllim, frymëmarrje, mbushje, rini, fillim, karikim, ngazëllim, përsëri ëndërrim, përsëri shpëtim, dhe të gjitha këto afrohen sot nga ai, nga vetë ai, zemërmadhi, shpirtmadhi, hatërmadhi, hundëmadhi, lavdimadhi, pushtetmadhi, nga vetë kryeministri i vendit, Sali Berisha.