Teatri Kombëtar dhe kultura e komunikimit
Aktorët e Teatrit Kombëtar takojnë ministrin Ylli Pango. I shprehin indinjatën për fyerjet dhe mbështesin drejtorin Kristaq Skrami. Ata deklarojnë mesazhin e Pangos: Nuk e dua Skramin, po e doni mbajeni!
Në një kohë kur flitet për cilësi artistike, kthim të publikut, transparencë, "luftë kundër korrupsionit", ajo që i mungon vërtetë institucioneve tona është kultura e komunikimit. Këtë e ndesh që nga titullarët më të lartë, tek nivelet më të ulëta të piramidës administrative. Dje, pas kërkesës publike që aktorët e Teatrit Kombëtar i bënë kryeministrit Berisha dhe ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, ky i fundit pranoi t'i presë. Megjithëse në zyrën e ministrit u paraqitën edhe punonjësit e administratës me drejtorin Skrami në krye, të cilët janë edhe të akuzuarit kryesorë për abuzime, Pango i la këta të fundit pas dere, duke iu thënë se këtë herë do të takohej me aktorët, ndërsa me drejtorin do të zhvillonte një takim kokë më kokë. Sigurisht për punonjësit e administratës, të cilët prisnin të gjenin mbështetje tek ministri, kjo lloj pritjeje ishte një zhgënjim, megjithatë për ta edhe fakti që aktorët do të flisnin në emër të tyre ishte diçka pozitive. Sipas aktorit Vasian Lami, arsyeja pse takuan ministrin, ishte të kërkonin mbrojtje ndaj shpifjeve të bëra së fundi ndaj institucionit të teatrit, pjesë e së cilit janë edhe ata. Gjithashtu e ftuan ministrin të shohë një shfaqje në Teatrin Kombëtar, gjë që nuk e ka bërë prej kohësh që është vënë në krye të institucionit që drejton. Sapo aktorët i kanë shprehur indinjatën në lidhje me akuzat e ngritura ndaj Teatrit dhe që nuk u vërtetuan nga auditi i ministrisë, Pango është shprehur prerë se "nuk merret" as me auditin dhe as me njerëz që bëjnë akuza. "Gjithashtu mohoi të jetë shprehur në media në mbështetje të akuzuesve. Pango tha se gazetat abuzojnë dhe se ai nuk është prononcuar dhe nuk ka autorizuar askënd të shprehet në emër të tij", - thotë Lami, një prej të pranishmëve në takim. "Në takim morën pjesë gati 90% e trupës së aktorëve dhe të gjithë u shprehën në mbështetje të punës së drejtorit aktual, të mënyrës së komunikimit, bashkëpunimin me bordin dhe cilësinë artistike", - thotë aktori Ndriçim Xhepa. Sipas tij, në skenë janë vënë drama kombëtare, të cilat Skrami i gjeti si projekte në TK, ngjiti në skenë një komedi të suksesshme, të drejtuar nga një regjisor i huaj, gjë që i ka munguar teatrit dhe do të sjellë edhe dy regjisorë të tjerë, një grek dhe një anglez, që do të vënë në skenë një antikitet dhe "Makbethin" e Shekspirit. Pa harruar regjisorët që po operojnë aktualisht në teatër, Minga dhe Kumbaro që ngjisin në skenë Miller dhe Durremant. Por duket se ministri nuk qenkërka në të njëjtën mendje me aktorët. Këta të fundit thonë se Pango është shprehur hapur kundër Skramit në pozicionin e drejtorit të TK-së. "Që në momentin që erdha në këtë post mendova që ta hiqja, sepse nuk përputhet me vizionet e mia për teatrin", - mësohet të ketë thënë Pango. Kaq mjaftoi që aktorët, të vjetër e të rinj, të "akuzojnë" ministrin për paragjykimet dhe të deklarojnë para tij se "Skrami është drejtori më i mirë që ka ardhur në krye të TK-së, kohëve të fundit". "Shprehëm të gjithë vlerësimet tona për punën që po bën Skrami në teatër, për atmosferën artistike të krijuar dhe marrëdhëniet harmonike në trupën e teatrit, e cila për vite me radhë i ka munguar TK-së. Por i kërkuam gjithashtu që të mos luajnë me teatrin dhe të ndërrojnë drejtuesit pas çdo ministri që vjen në MTKRS", - tha Lami.
Mësohet që Pango të ketë folur për vizione, për grupe pune, për reforma në teatër, ndërsa aktorët i kanë kërkuar që pjesë të këtij procesi të bëjë edhe drejtorin Skrami. Pas këtij reagimi, sipas aktorëve, Pango është shprehur se "nëse e doni, atëherë unë nuk po dal kundër jush. Mbajeni". Por askush nuk e di se sa do t'i përmbahet Pango këtyre fjalëve. Për aktorët ndryshimi i një drejtori nuk sjell reformën në një teatër. "Nëse duhet të reformohet teatri, kjo bëhet me vullnet politik", - thotë Ndriçim Xhepa, i cili është diskutuar më parë për postin e drejtorit të TK-së.
Një takim "hidh e prit" ky mes ministrit Pango dhe aktorëve të Teatrit Kombëtar, të cilët më shumë se për reformën shkuan tek Pango për të zgjidhur çështjen e përbaltjes së emrit të teatrit nga një punonjës i TK-së. Por ja që zbulojnë se as vetë ministri nuk e dashkërka drejtorin aktual të teatrit, veçse nuk mësuan asgjë se çdo të bëhet me akuzuesin Hervin Çuli, i cili përpos se është shprehur vetë në media se nuk shkon në Teatrin Kombëtar prej 2 muajsh, përfiton nga projektet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ministri thotë se nuk merret me njerëz që bëjnë akuza të tilla. Ndërsa drejtori i TK-së, Kristaq Skrami, thotë se nuk ka marrë asnjë masë administrative ndaj Çulit, pasi kjo lëvizje do t'i quhej e qëllimshme, pasi ai "po zbardh abuzimet që po ndodhin në teatër". "Kam zgjedhur rrugën ligjore. Këtë njeri e kam paditur në gjykatë për shpifje dhe fyerje, vepra penale, të kryera botërisht", - thotë Skrami. Për këtë "cënim të integritetit të figurës së institucionit dhe punonjësve të administratës", TK ka kërkuar që Çuli të shlyejë një gjobë prej 2 milionë lekësh të reja. Kështu ka përfunduar kultura e komunikimit në institucionet shqiptare, në arrogancë, shkarkime, shpifje, fyerje dhe kur shkon deri atje ku s'mban më, përfundon në gjykatë.