Mbi raportin fjalë-vepra.
Një nga parimet demokratike të qytetit të lashtë të Athinës ka qenë dhe pretendimi për të lidhur fjalët me vepra të drejtuesve e qytetarëve të saj. Për athinasit e vjetër, sipas këtij parimi, me fjalë mund të realizohej dhe lloji i justifikimit që një person apo grup duhej të jepte për punën apo veprat e veta. Një version ideal i lidhjes midis fjalëve dhe punës, e veprave, e gjejmë tek oratoritë e Perikliut. Diku ai thekson se "vetë, ne, athinasit, i marrim vendimet mbi politikën apo i shtrojmë ato për diskutim të hapur, sepse ne nuk mendojmë që ka një papajtueshmëri midis fjalëve dhe veprave. Gjëja më e keqe është të përfshihesh me shpejtësi në një aksion përpara kryerjes së një diskutimi e debatimi të gjithanshëm të gjitha pasojave të mundshme". Ndërsa, Diodoti, mbështetur në idenë kohezive të Perikliut, ngul këmbë që "ai që mbahet pas idesë se fjalët nuk mund të jenë më një udhëheqëse për veprim është ose budalla, ose ka aty një interes të madh personal...". Por, me kalimin e viteve, krahas humbjes së disa parimeve bazë demokratike, u thellua dhe procesi i dizintegrimit, apo dhe dukuria politike e ndarjes së fjalëve nga veprat. Në favor të cilit aspekt? Diku në favor vetëm të fjalëve, diku në favor të punës. Atje, ku puna ka dalë në plan të parë, qeverisja ka rezultuar pragmatike, transparente dhe në shërbim të qytetarëve, ndërsa atje ku fjalët janë bërë qëllim në vetvete qeverisja ka rezultuar demagogjike, manipulative e opake, dhe larg interesave të popullit të saj...
***
Por si është raporti fjalë dhe punë në rastin tonë? Përgjithësisht, mund të thuhet se politika shqiptare, sidomos ajo qeverisëse, me përjashtime të rralla, ka bërë në vite një veçim, të paparë në ndonjë vend tjetër, në raportin midis fjalës dhe punës, premtimeve e veprave konkrete. Madje, shumë politikanë shqiptarë janë bërë "ustallarë" të fjalëve, sidomos përpara të huajve, por dhe mjeshtër të premtimeve boshe të përditshme, ndërkohë që ata vuajnë nga sëmundja e rëndë, apo nga sindroma e gënjeshtrës bajate dhe e mashtrimit publik, nga patologjia e rëndë e mungesës së seriozitetit, nga mosshqyrtimi i mëtejshëm, nga braktisja pa më të voglin teklif, nga moskonsiderimi serioz dhe mosrealizimi i premtimeve të bëra. Pra, për këtë lloj politike fjalët janë parësore, ndërsa veprat, puna, në mos e parëndësishme, krejtësisht dytësore. Akoma më problematik është bërë ky raport fjalë-punë në qeverisjen e sotme. Bile, është fare absurde, dalja e përditshme në televizor e çdo qeveritari kur, megjithëse bie shi mjaftueshëm, qytetarët edhe në kryeqytet vuajnë një mungesë energjie prej 4-5 orësh në ditë. Dhe ndërkohë, me paturpësi, vazhdojnë premtimet e përditshme, deri për eksport energjie elektrike në mes të kësaj krize energjie mbi 6-mujore. Këto janë dhe "shashkat" qeverisëse gojore, bile dhe të palodhshme në "trashësinë" e tyre. Akoma, më të çuditshme, në mungesë të aftësisë dhe efektivitetit të deritanishëm, shfaqen idetë apo modeli i të kaluarës enveriste për "punë me tre turne"! Ndoshta, ndonjë ditë do të dëgjojmë dhe atë historinë e dikurshme, apo atë perlën komuniste të "aksioneve me goditje të përqendruar"!...
Edhe pse duket cinike, aq më shumë që është njëkohësisht dhe libertiane, Tomas Pen (Thomas Paine) ka pasur të drejtë kur ka shkruar se "qeveria më e mirë është ajo që qeveris më pak". Natyrisht, këtu përmbahet një parim thelbësor për një qeverisje realisht demokratike. Sepse kjo ka të bëjë me ndërhyrjen qeveritare, e cila duhet të vijë duke u pakësuar me zhvillimin social-ekonomik, dhe jo që pushteti ekzekutiv të interferojë, të depërtojë e komandojë për çdo problem dhe çdo qoshe të jetës politike-institucionale, dhe social-ekonomike, kolektive e individuale, siç po ndodh aktualisht në Shqipëri. Sidomos, kur sulmohen dhe organizime të tjera të pavarura, që janë tërësisht larg politikës, apo kur synohet të hartohet historia sipas dëshirave e "ëndrrave të natës" të politikës! Aq mëproblematik bëhet ky shqetësim kur ky pushtet ekzekutiv synon të shuajë, madje dhe po pushton hap pas hapi të gjithë pushtetet e tjera, duke cenuar rëndë mekanizmat bazë demokratikë: atë të ndarjes së fuqive dhe atë të kontroll-balancimit. Pra, e thënë ndryshe, të akumulojë një pushtet që nuk i takon, sipas kushtetutës dhe ligjit.
Dikush dhe mund të kundërshtojë. E ç'na duhet një qeverisje e dobët? - mund të shprehet ai. Përkundrazi - është përgjigja. Respektimi i plotë i ndarjes së pushteteve dhe ai kontroll-balancimit veçse e fuqizon qeverisjen në tërësi dhe, njëkohësisht, mundëson ruajtjen e standardit demokratik, të lirisë dhe të drejtave njerëzore. Prandaj, në botën realisht demokratike besohet se është shumë më mirë një e tillë, d.m.th. një pushtet ekzekutiv me ndërhyrje minimale, se një qeverisje e paaftë dhe krejt e turbullt, që, në të njëjtën kohë, për të mbuluar paaftësinë e saj, synon të komandojë gjithçka!- do të përgjigjej Pen. Dhe me të drejtë! Sidomos, kur raporti midis fjalëve dhe punës është fare divergjent, kur ndryshimi midis një qeverisjeje llafazane dhe asaj efektive është mjaft i thellë, është më mirë që veprat e dobishme t'i kryejnë në liri dhe në bazë të kompetencave kushtetuese-ligjore strukturat shtetërore e private apo individë të tjerë, që kanë kapacitetet dhe aftësitë për ta lëvizur përpara vendin dhe ekonominë.