E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çe, Kastro dhe Heminguei, fotot e revolucionarëve në ankand

Autori i Lajmit: A.D

Havanë – Një set fotografish të revolucionarit kubanez Çe Guevara në Havanë, të shkrepura në nga fotografi Alberto Korda pritet të dalë shumë shpejt në ankand. Simbolet e Revolucionit, Fidel Kastro dhe Çe Guevara janë duke luajtur golf (simbol i kapitalizmit) me uniformat e tyre ushtarake dhe në një moment përqafohen për të vulosur në celulid një nga fotot më simbolike të botës. Sigurisht, një meritë të madhe për të ka dhe fotografi personal i ikonës së komunizmit Çe, Albero Korda. Pastaj kemi një tjetër foto, ndërsa Kastro është duke folur në publik dhe në një moment përqafon shkrimtarin Ernest Heminguei. Në një tjetër imazh Çe Guevara është duke peshkuar, pastaj kemi një grua kubane me uniformë. Këto janë vetëm disa nga shkrepjet bardhezi të realizuara me një aparat fotografik të vjetër “Leica”, të cilat pritet të hidhen në ankand nga “Dominic Winter Book Auctions”. Autori i tyre është Alberto Korda, i njohur drejtpërsëdrejti nga shumë persona, ndërsa indirekt pothuajse e njohin të gjithë, duke qenë se është autor i shumë prej fotove më të famshme që kanë prodhuar historinë e Çe Guevarës, të cilat kanë frymëzuar bizneset për ti stampuar kudo, bluza, stilolapsa, pjata etj., në të gjithë botën. Po kush i ka pasur deri në vitin 2010 këto foto. Është interesante të mësosh historinë e tyre, pasi fotot i ishin dhuruar nga Korda një mikut të tij. Chris Albury, është personi që do të kujdeset për shitjen e tyre. Ai shpjegon se fotot flasin më së miri për situatën revolucionare të kohës në Kubë, por mbi të gjitha tregojnë dhe copëzat e historisë së personazheve simbol të revolucionit. Fotografi Alberto Díaz Gutiérrez, i njohur si Alberto Korda, ishte fotografi personal i Fidel Kastros dhe famën e tij e fitoi ndërsa fiksoi në celuloid, një nga fotot që e bënë të pavdekshëm, Ernesto Çe Guevarën, në historinë e fotoraportimit. Megjithatë, ai nuk ka marrë kurrë asnjë shpërblim për foton, edhe pse më pas ajo ka qenë fituese e një sërë çmimesh ndërkombëtare. Fotoja e “heroit gueril”, ky është titulli zyrtar, është bërë e famshme pasi botuesi Giangiacomo Feltrinelli, që e mori si dhuratë, e publikoi në fillim si poster dhe më pas si një kopertinë e librit “Ditari i Bolivisë”. Fotot pritet të dalin në ankand më 4 mars, dhe pritet që ofertat të shënojnë shifra shumë të larta. Fotot janë shkrepur në vitet 1959-1960. “Unë e adhuroj ironinë e kapitalizmit kundër komunizmit që bartin fotot e Çes dhe Fidelit ndërsa luajnë golf me uniformën e tyre ushtarake, por dhe atë të takimit të tij me Ernest Heminguein”, - thotë Albury. “Më pëlqen gjithashtu dhe fotoja e gruas me uniformë ushtarake kubane dhe fotoja më pak e njohur ndërsa Çeja është duke peshkuar, e shkrepur në vitet 50. Por fotoja që më duket më shumë me vlera, është ajo e Fidel Kastros dhe Kamilo Çenfuegos, duke shëtitur të armatosur në rrugët e Havanës në janar 1959. Ajo foto të jep përshtypjen sikur është shkrepur nga ndonjë film hollivudian. Kjo është dhe fotoja që nisi karrierën fotoreportere të Kordës”. Të gjitha fotot që mbajnë firmën e Kordës pritet të dalin me një çmim fillestar 500 paund e sipër.
Ky lajm është publikuar: 25/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›