E Shtunë, 31 Tetor 2026

India dhe Pakistani sot në tryezë pas sulmeve të Mumbait

Autori i Lajmit: A.D
Nju Delhi – Islamabad - Kur India u ftua në mënyrë të papritur nga Pakistani për zhvillimin e bisedimeve në nivel ministrash të Jashtëm më herët këtë muaj, shumë analistë mbetën të habitur. Ministri i Jashtëm indian, e justifikoi ftesën duke thënë se fqinjët e tyre kishin bërë hapa përpara. “Pakistani ka vepruar pas sulmeve të Mumbait”, - tha ai. “Ata kanë arrestuar të dyshuarit dhe po i shkojnë çështjes deri në fund. Kjo është një lëvizje përpara”. Pakistani e ka pranuar ftesën, me shpresën se ajo do të çojë drejt një dialogu më të ngushtë. Por që prej këtij momenti në media janë shfaqur zyrtarë anonimë nga të dyja palët, të cilët bëjnë deklarata jomiqësore ndaj palëve respektive në media. Sipas informacioneve të fundit, zyrtarët e Pakistanit theksonin se “India ishte gjunjëzuar”, ndërsa zyrtarët indianë kërcënonin se do ti anulonin bisedimet, nëse Pakistani nuk do ti jepte fund këtij qëndrimi kryeneç. Analistët thonë se përplasjet do të nisin nën presionin e SHBA-së. Nga ana tjetër, shumë nga suksesi i bisedimeve varet nga çfarë është përfshirë në axhendë. Pakistani thotë se ai dëshiron të diskutojë shumë çështje, përshirë sigurisht dhe ndarjen e Kashmirit, ndaj të cilit pretendojnë tërësinë territoriale të dyja vendet. Sidoqoftë, India thotë se ka vetëm një temë në axhendë, “terrorizmi”. Në prag të takimit të ditës së enjte, qeveria indiane nuk ka reshtur së theksuari se ka pasur përpjekje infiltrimi përtej kufirit de fakto që ndan Kashmirin. Kjo, sipas qeverisë së Nju-Delhit, tregon se Pakistani është duke lejuar territorin e tij të kontrollohet nga militantët që nisin sulme kundër objektivave indiane. “Nga Ministria e Brendshme, ne do të donim që çështje që qëndrojnë ende pezull si aktet terroriste të Mumbait të ngrihen për tu diskutuar”,- tha zoti Chidambaram. “Kërkesa jonë është që Pakistani të shkatërrojë infrastrukturën e terrorit”. Por Pakistani kërkon një “dialog për shumë probleme”, - tha për BBC-në analisti Hasan Askari Rizvi. "Islamabadi do të diskutojë çështjen e Kashmirit dhe në të njëjtën kohë të bisedojnë, për ndarjen e ujërave të lumenjve (akullnajën Siachen dhe çështjen e kufirit), tregtinë dhe lëvizjen mes Indisë dhe Pakistanit”. Diskutimi vetëm për terrorizmin nuk do të jetë i pranueshëm nga ana e Pakistanit”, - shton ai. Kështu që, kur dy ministrat e Jashtëm, ai indian Nirupama Rao dhe homologu i tij pakistanez, Salman Bashir, të ulen përballë njëri-tjetrit, a mund të presim një rezultat? “Nuk duhet një analizë e madhe për të kuptuar se çfarë do të thotë zoti Rao”, - shkruan editorialisti MJ Akbar në “Times of India”. “Ajo nuk ka asnjë mundësi tjetër veç bisedimeve për luftën kundër terrorizmit dhe luftën me çdo mjet që Pakistani nisi pasi dështoi të pushtonte luginën e Kashmirit në vitet 1947-48". Ai thotë se rezultatet e dialogut do të përcaktohen jo nga ajo çfarë do të thotë zonja Rao, por ajo çfarë ajo do të dëgjojë nga homologu i saj.

Ky lajm është publikuar: 25/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›