E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çehov në Tiranë

Ekspozita ndërton përmes imazheve jetën e shkrimtarit të njohur. Nga shtëpia e tij e kthyer në muze, në portrete të shumta, te posterat e shfaqjes “Pulëbardha” e “Xhaxha Vanja”, fotografitë me trupën e parë që luajti veprat e tij, por edhe foto me shkrimtarët e njohur, Tolstoin dhe Gorkin.

Anton Çehov ka qenë i pranishëm më shumë se një javë në Tiranë. Një ekspozitë fotografike e hapur në Muzeun Kombëtar, në kuadrin e “Ditët e Kulturës Shpirtërore Ruse në Shqipëri”, ndërton përmes imazheve jetën e shkrimtarit të njohur. Nga shtëpia e tij e kthyer në muze, në portrete të shumta, te posterat e shfaqjes “Pulëbardha” e “Xhaxha Vanja”, fotografitë me trupën e parë që luajti veprat e tij, por edhe foto me shkrimtarët e njohur, Tolstoin dhe Gorkin. Ka portrete të shumta të djaloshit Çehov, por edhe kartolina të shkëmbyera me personazhe të njohura të kulturës ruse.

I njohur si shkrimtar nga publiku shqiptar, por edhe përmes vënies në skenë të dramave të tij, Çehov është një shkrimtar që vazhdon t’i rezistojë kohës. Ekspozita me shumë fotografi nuk lë mënjanë as jetën e tij familjare. I treti i gjashtë fëmijëve, Çehovin e shohim në një tablo familjare, po aq sa edhe me gruan e tij, aktoren Olga Knipper. Me të gëzoi vetëm 5 vite jetë bashkëshortore, i sëmurë rëndë nga turbekulozi, i cili i mori jetën në vitin 1904. Teksa kalon nga njëra fotografi te tjetra, të kujtohet historia e jetës e shkrimtarit rus dhe jehona e veprave të tij. Anton Çehov lindi në Taganrog, në Rusi, më 1860, në një familje që vuajti gjatë nga problemet ekonomike. I ri, ëndërronte vetëm t’i ikte skamjes në të cilën ndodhej familja e tij, ndërkohë që kishte vuajtur abuzimet e vazhdueshme të një babai të sertë me nënën e tij.

Një vizitë në Moskë e bën që ai të dashurohet pas këtij qyteti. Bën gjithçka për të shkuar atje, duke marrë një bursë studimi në mjekësi. Në fakt, Çehov ishte një mjek në profesion, ndonëse nuk iu kushtua asnjëherë siç duhet. Filloi të shkruante fillimisht në gazeta, deri sa të shkruarit u kthye në një pasion të cilin kërkoi ta përsoste deri sa qe gjallë. “Pulëbardha”, “Xhaxha Vanja”, “Kopshti i qershive”, janë tri nga kryeveprat e tij. Pas më se një jave, ekspozita mbyllet sot.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›