Drenica sfidon liderin

Të dielën do të zhvillohet xhiroja e dhjetë e Superligës së Kosovës në futboll, në kuadër të së cilës do të zhvillohen disa takime mjaftë interesante. Ndeshje e tillë do të luhet në Skenderaj, ku Drenica do ta sfidojë liderin aktual të renditjes tabelore, Prishtinën.
Kuqezinjtë deri më tani nuk kanë dëshmuar formë të mirë. Pas nëntë xhirove të zhvilluara, skuadra e Tahir Lushtakut pozicionohet në vendin e shtatë të tabelës me vetëm dhjetë pikë, pasi deri më tani i ka regjistruar vetëm dy fitore, derisa në katër takime tjera ka luajtur baras, kurse i ka pësuar tri disfata.
Pas humbjes së pësuar nga KEK-u, Drenica do të përpiqet që të dielën ta shfrytëzojë përparësinë e terrenit dhe t’iu kthehet fitoreve, ndonëse përballë do ta ketë skuadrën më cilësore aktualisht në vend.
“Pavarësisht humbjes që e pësuam të mërkurën në Kastriot, lojtarët e mi do të hyjnë të motivuar dhe synim do të jetë gjithsesi fitorja. Kemi një kundërshtar jashtëzakonisht cilësor, siç ka qenë kaherë, por nuk besoj që lojtarët e mi do të lejojnë të mposhten”, ka thënë trajneri i drenicasve, Tahir Lushtaku, i cili ndoshta nuk do ta ketë në dispozicion Bardhyl Kaçiun.
Mirëpo, skuadra nga Skenderaj nuk do ta ketë aspak të lehtë ta arrijë objektivin, pasi pikët e plota i synon edhe Prishtina, e cila aktualisht mban vendin e parë të tabelës me 20 pikë të tubuara.
“Në Skenderaj udhëtimet tona kanë qenë gjithmonë të vështira dhe vështirë është të marrësh maksimumin e pikëve atje. Përkrahja e tifozëve do të jetë një shtysë e madhe që ekipi i tyre të jetë edhe më këmbëngulës në synimet e veta. Pavarësisht kësaj,
mendoj që do të marrim rezultat maksimal nga ky takim”, ka thënë trajneri i bardhekaltërve, Ramiz Krasniqi, i cili në këtë takim nuk do të mund të llogaritë në shërbimet e Behar Maliqit, Mentor Mazrekajt dhe Suad Saliagiqit.
Interesant do të jetë edhe në Merdarë, ku kampioni aktual Hysi do të mundohet të këndellet në duel me Besën, derisa në Gjakovë, Vëllaznimi do të përpiqet t’u kthehet fitoreve përballë Gjilanit. Drita do të jetë nikoqire e KEK-ut, derisa Lepenci, pa përkrahjen e tifozëve, do ta sfidojë Trepçën. Lirinë sërish e pret një udhëtim i vështirë, pasi në Mitrovicë e pret Trepça ’89.
Superliga – Xhiroja e 10-të
E diel
Drenica – Prishtina
Hysi – Besa
Lepenci – Trepça
Vëllaznimi – Gjilani
Trepça ’89 – Liria
Drita – KEK-u
Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 15:00 .