E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, ndërtuesit njoftohen për bllokimin e lejeve të ndërtimit

Prezantohet te qytetarët projekti për planin rregullues të Durrësit, ndërtuesit njihen dhe me bllokimin e lejeve të ndërtimit. "Ky plan rregullues i qytetit do të rimarrë në shqyrtim edhe planin urbanistik të qendrës së qytetit që penalizon ndërtuesit në qytetin e Durrësit dhe ka shkaktuar bllokimin e ndërtimeve në këtë zonë, duke penalizuar një sektor të rëndësishëm në zhvillimin e qytetit." Kjo ka qenë përgjigjja dhe njëkohësisht paralajmërimi që kryebashkiaku i Durrësit dha për të gjitha bizneset e ndërtimit. Në kuadrin e projektit LAMP që i ka akorduar qytetit bregdetar 270 mijë dollarë për hartimin e planit të tij rregullues, bashkia diskutoi dje me grupet e interesit duke theksuar faktin e një planifikimi dinamik, proaktiv dhe i orientuar drejt popullsisë në mënyrë që të inkurajojë investitorët të investojnë. Kjo duke respektuar nevojat e qytetarëve, profilin e qytetit dhe kushtet mjedisore. Gjatë diskutimit u ftuan specialistët dhe qytetarët që t‘i depozitojnë sugjerimet e tyre në sektorin e urbanistikës pranë bashkisë e ato do të merren parasysh në hartimin e këtij plani rregullues. Projekti LAMP financohet nga Banka Botërore dhe po aplikohet në katër bashki, që janë ajo e Durrësit, Vlorës, Shkodrës dhe Kamzës. Projekti ka një fond prej 1 milion dollarësh me anë të të cilit do të hartohen planet dhe rregulloret e zhvillimit strategjik urban për këto qytete. Hartimi i planit rregullues të qytetit të Durrësit duhet të përfundojë në fund të këtij viti dhe në vitin 2010 pritet të fillojë zbatimi që shtrihet në një afat kohor 25 vjeçar, gjatë të cilit të gjitha investimet që do të kryhen në qytet do të orientohen në bazë të planit që do të mundësojë zhvillimin e orientuar të Durrësit në të ardhmen duke respektuar të gjitha vlerat dhe traditën e tij. Projekti LAMP është faza e parë e një programi afatgjatë që parashikohet të zbatohet në tri faza 4-vjeçare. Në bazë të kërkesës së bërë nga financuesi dhe Ministria e Transporteve, u zhvillua dje konsultimi i gjerë me komunitetin në sallën e madhe të teatrit "Aleksandër Moisiu". Plani rregullues i gjithë qytetit të Durrësit po kryhet nga studiot "Hydea" dhe "Atelier 4". Në diskutim morën pjesë kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, drejtuesi i projektit LAMP Hari Baral, ekspertë të fushave të ndryshme, intelektuale e qytetarë të Durrësit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›