E Diel, 1 Nëntor 2026

Çekia do të mbështesë Shqipërinë për kandidaturën në BE



Çekia do të mbështesë Shqipërinë që të fitojë statusin e vendit kandidat për të hyrë në Bashkimin Evropian. Një fakt të tillë e konfirmoi dje Kryeministri Sali Berisha i cili zhvilloi në Davos të Zvicrës një takim me Presidentin e Çekisë Vaslav Klaus. Pas këtij takimi, Kryeministri Berisha deklaroi se “Çekia do të mbështesë kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE”. Kryeministri shqiptar u shpreh optimist për këtë aplikimin, i cili do të bëhet në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, i cili korrespondon me drejtimin e Çekisë në Presidencën e radhës së BE-së. Kreu i qeverisë shfrytëzoi Forumin Ekonomik Botëror në Davos për të takuar Presidentin çek të cilit i kërkoi të që mbështesë Shqipërisë në ambicien e saj. Ai deklaroi se Presidenti çek ka shprehur një mendim pozitiv për reformat në Shqipërisë, si në fushën ekonomike, ashtu edhe në luftën kundër korrupsionit. Sipas Kryeministrit Berisha, Presidenti çek shprehu vlerësimin e tij mjaft pozitiv për arritjet e gjithanshme të qeverisë shqiptare si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë politik, duke u ndalur veçanërisht në vlerësimet për sukseset e arritura në luftën kundër korrupsionit dhe krimit në vend. Berisha theksoi se kreu i shtetit çek i kishte pohuar se arritjet e Shqipërisë janë në sytë e të gjithëve. Kreu i qeverisë shqiptare shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Çekia i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në proceset integruese, zhvillimin dhe progresin e saj. Një tjetër pikë e bisedës së dy liderëve kanë qenë edhe zhvillimet politike brenda vendit. Kryeministri e ka informuar Klausin me reformat e bëra nga politika, si ligjet në drejtësi, reformat zgjedhore etj. Kryeministri Berisha dhe Presidenti çek u ndalën edhe në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, duke konstatuar se ka një rigjallërim të këtyre marrëdhënieve. Ata theksuan se marrëdhëniet duhet të rriten, po ashtu edhe shkëmbimet tregtare. Berisha kërkoi nga ana e Presidentit çek edhe nxitjen e investitorëve çekë për të investuar në Shqipëri. Ai theksoi reformat ekonomike, veçanërisht në lehtësitë që janë bërë për biznesin dhe lirinë ekonomike. Kryeministri Berisha foli edhe për fushën e financave, kryesisht në uljen e taksave në mënyrë të ndjeshme. Një tjetër pikë që lidh dy vendet ka qenë edhe privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) nga një kompani e madhe çeke si CEZ që i ka hapur rrugën dhe i ka dhënë shpresë afrimit të shumë kompanive të tjera të këtij vendi. Kryeministri tha se kompani të tjera janë të mirëpritura për të investuar në vendin tonë.

Aplikimi në BE, roli i diplomacisë

Aplikimi në Bashkimin Evropian për të qenë një vend zyrtarisht kandidat për të hyrë në këtë familje, ka nisur një tjetër detyrë të veçantë për diplomacinë shqiptare. Ashtu siç është theksuar, Shqipëria duhet të gjejë një moment të përshtatshëm kur të paraqesë kandidaturën. Do të duhet që paraqitja e kandidaturës në BE të gjejë të 27 vendet e BE-së në harmoni të plotë. Kjo ka bërë që ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, por edhe Kryeministri Berisha, të nisin një lobim të veçantë për këtë çështje. Forumi Ekonomik i Davosit ka shërbyer që Kryeministri dhe ministri i Jashtëm të takohen me personalitete të vendeve anëtare të BE-së. Kryeministri është takuar me disa homologë të tij si kryeministrat e Danimarkës, Suedisë etj. dhe ministri Basha ka takuar mjaft homologë të tjerë, ku në qendër të këtyre bisedimeve ka qenë ambicia e Shqipërisë për të fituar kandidaturën në BE brenda Presidencës Çeke në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›