Forumi i Davosit, rend i ri në tregti dhe tregjet financiare
Forumi Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës ka mbyllur punimet pas disa ditësh bisedimesh, mes një numri rekord pjesëmarrësish. Kriza ekonomike botërore duket se do të kërkojë më shumë vëmendje, pasi ditë të tëra debatesh mes ekspertëve më të mirë botërorë nuk arritën të konkretizojnë ndonjë vendim. Megjithatë, ky forum hodhi idetë bazë të cilat do të ndërmerren nga dy organizmat, G20 dhe Organizata Botërore e Tregtisë. Ekspertët më të mirë kanë theksuar se kriza aktuale nuk ka një shoqe në histori. Madje janë propozuar masa krejt të tjera nga ato që janë ndjekur në kriza të ngjashme, si ajo e vitit 1929 apo e viteve 1970. Duket se vendet e G20-ës, të cilat përbëjnë 80 për qind të GDP-së së globit, do të hartojë një politikë të re në fushën financiare, por një ndryshim rrënjësor do të ndodhë në tregti. OBT-ja do të përcaktojë kushte të tjera. Proteksionizmi nuk do të lejohet për shkak se mendohet se do të sjellë papunësi në vendet që do ta ndërmarrin. Ekspertët kanë menduar se një liberalizim më i madh në tregti do të bëjë të mundur kalimin e krizës. “Me një sinjal për krijimin e një rendi të ri në tregjet financiare i dha fund punimeve Forumi Botëror i Ekonomisë në Davos të Zvicrës. Një sërë kryetarë shtetesh dhe qeverish, që morën pjesë në takimin pesëditor, shprehën mbështetjen e tyre për një nismë të tillë”, - tha dje themeluesi i konferencës, Klaus Shvab. Forumi Botëror i Ekonomisë do të mbështesë grupin e shteteve G20, që në sfondin e krizës së bankave në vitin 2008, i ka vënë qëllim vetes ripërtëritjen e sistemit global të financave. Agjencia e lajmeve Rojters i kushtonte një rëndësi të veçantë rregullave të reja që do të vendosen në tregti, një liberalizim akoma më të skajshëm. Ministrat e Tregtisë janë takuar gjerësisht në Davos, nga ku kanë vendosur që brenda vitit 2009, të bëhet e mundur një politikë e re në tregtinë e globit. Por nuk kanë munguar edhe kritikat e ardhura nga ekspertët. Shumë prej tyre janë shprehur se një tregti e skajshme do të bëjë të mundur varfërimin e mëtejshëm të vendeve të varfra dhe shtimin e pasurisë për ato më të pasura. Por ekspertët e tjerë shprehen se një rend i ri në tregti do të bëjë të mundur që globi të dalë nga kriza ekonomike dhe të hedhë baza për një tjetër ekonomi më të qëndrueshme. “Janë konsideruar edhe mendimet proteksioniste”, - tha dje Piter Sadherlend, drejtori i Organizatës Botërore të Tregtisë. Por ende nuk dihet në rast se brenda këtij viti do të bëhet i mundur realizimi i këtij rendi të ri botëror në tregti. Do të duhet që 153 vende të OBT-së të kenë të paktën vullnet për të realizuar këtë rend.
Mesazhi nga Davos: “Po, ne mund t'ia dalim”
Në Davos u mbyll Forumi Ekonomik Botëror, i cili kësaj here u karakterizua nga një atmosferë e zymtë për shkak të krizës ekonomike dhe financiare globale. Pjesëmarrësit largohen nga Davosi i ftohtë për t'u përballur me një realitet po aq të ftohtë financiar, ku rigjallërimi ekonomik komplikohet nga frika e trazirave sociale dhe e papunësisë në rritje. I zhytur në një atmosferë pavendosmërie dhe pasigurie, Forumi Ekonomik Botëror i cili grumbullon njerëzit më të shquar të qeverive dhe biznesit, nuk arriti të dalë me një plan të ri për të frenuar krizën financiare globale.
Fituesi i çmimit “Nobel” për ekonominë, Xhozef Stiglic, tha se Davosi është normalisht një forum pozitiv, por këtë vit delegatët shfaqën gjithnjë e më shumë pesimizëm, ndërsa mësonin mbi përmasat e problemeve me të cilat përballen.
"Zakonisht, efekti i forumit është që njerëzit mendojnë me optimizëm mbi të mirat e globalizimit. Por këtë herë, ata u bënë më pesimistë kur mësuan për problemet me të cilat përballet secili prej tyre. Pra, në këtë kuptim, Davosi thuajse me siguri kontribuoi në thellimin e atmosferës së zymtë", - tha ai
Forumi i Davosit u mbyll në të njëjtën atmosferë të zymtë në të cilën filloi, megjithëse në ditën e tij të fundit, themeluesi i forumit, Klaus Shvab, përdori parullën e fushatës së Presidentit amerikan Obama: "Po, ne mund t'ia dalim" si thirrje për të zgjidhur krizën ekonomike botërore. "Nga pikëpamja ekonomike, ky ishte natyrisht forumi më i zymtë që kemi pasur ndonjëherë… Mendoj se ne duhet të theksojmë nocionin se ne mund t'ia dalim. Po, mund t'ia dalim. Mendoj se ky takim solli një numër idesh, por kyçi është te bashkëpunimi global". Komentet e zotit Shvab u pritën me duartrokitje të gjata nga pjesëmarrësit të cilët do të largohen nga Davosi i ftohtë për t'u përballur me një realitet po aq të ftohtë financiar kudo në botë, ku frika e trazirave sociale dhe e papunësisë në rritje janë faktorët e rinj që po e komplikojnë rigjallërimin ekonomik.
"Mesazhi që marr nga Klaus Shvab dhe nga Forumi Ekonomik Botëror është se "po, ne mund t'ia dalim", - u shpreh Farid Zakaria, një ndër moderatorët e njohur të forumit.
Vitin e kaluar në Davos mbretëronte besimi se fuqitë e reja ekonomike, Kina, India, Rusia dhe Brazili mund t'i mbijetonin recesionit amerikan për shkak të potencialit të tyre. Por doli se kjo ishte e gabuar, thanë shumë analistë. Sytë tani do të drejtohen te takimi i 20 vendeve më të fuqishme industriale që do të mbahet në muajin prill në Londër, ku udhëheqësit do të duhet të marrin vendime të vështira. VOA
Protestat antiglobaliste dhe antikapitaliste ndezin Gjenevën
Forumi Ekonomik i Davosit është pritur jo miqësisht nga shumë grupe njerëzish të cilët kanë protestuar në Gjenevë me thirrje antiglobaliste dhe antikapitaliste. Protesta u zhvilluan një ditë më parë në Gjenevë e Davos për të protestuar ndaj këtij forumi. Protestuesit janë shprehur se personat pjesëmarrës në të janë ata që e shkaktuan këtë krizë globale, dhe jo njerëzit e duhur për t’i dhënë zgjidhje asaj. Ky forum në Alpet zvicerane mbahet çdo vit me drejtues të bizneseve. Ajo çka liderët globalë udhëzojnë, është të vazhdohet tregtia e lire, pasi barrikadat ekonomike do ta thellonin edhe më tej krizën globale. Për shumë përfaqësues të agjencive humanitare dhe organizmave joqeveritarë ndërkombëtarë Davosi është konsideruar më tepër si një shans për të parë impaktin e krizës financiare mbi fondet për ndihma humanitare e bamirësi. Ministrat e Tregtisë shpresojnë se takimi i ardhshëm i G20-ës në muajin prill të po këtij viti, i cili do të mirëpritet nga Kryeministri britanik, Gordon Braun, do të jetë një përmbushje për hapjen e tregtisë.