Reagimi i MPPTT-së: PS-ja ka pasur një plan klientelist për bregdetin
Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit ka reaguar dje pas deklaratave nga Partia Socialiste se po dhunohet bregdeti shqiptar me planin e ri. Zëdhënësja e kësaj ministrie, Erla Mëhilli, deklaroi se PS-ja ka miratuar me ngut në vitin 2005 një plan klientelist për bregdetin. “Plani i zhvillimit të bregdetit të jugut vendos vetëm kriteret e përgjithshme mbi të cilat do të zhvillohet kjo zonë dhe nuk përcakton njolla ndërtimi. Ka pasur në të vërtetë një plan klientelist, në fillim të vitit 2005, të bërë me ngut nga ish-zëvendësministri socialist, Artan Lame, sot sekretar i Asamblesë së partisë së bashkisë. Plani i atëhershëm i z. Lame ishte i hartuar për të favorizuar vetëm interesat mafioze të grupeve pranë z. Rama, përfshi një prej pronarëve të rëndësishëm të medias në vend”, - tha zëdhënësja e ministrisë. Ajo tha me tej se plani aktual është bërë në bashkëpunim me organizma ndërkombëtare. “Bazuar në marrëveshjen me Bankën Botërore, ka qenë detyrim i Koordinatorit Kombëtar të Projektit fotografimi ajror i zonës së përfshirë në studim dhe përcjellja e të dhënave si pranë Bankës Botërore, ashtu edhe pranë institucioneve shqiptare. Në periudhën 2004-2007 janë ndërmarrë qindra prishje të ndërtimeve pa leje në zonën bregdetare, si në Dhërmi, Himarë, Jal, Qeparo, Sarandë, Ksamil, Golem, Velipojë, Spille, Gjiri i Lalsit, Shëngjin etj., si detyrim i patjetërsueshëm i qeverisë shqiptare për zbatimin me përpikmëri të ligjit, në të gjithë territorin e vendit dhe në mënyrë të barabartë ndaj kujtdo”, - tha ajo.