Berisha kërkon rritjen e rolit të TI-as në Shqipëri
Kryeministri Sali Berisha është takuar në Davos të Zvicrës edhe me kryetaren e Bordit të Transparency International, Hygetë Label, të cilës i shprehu një kërkesë për shtimin e projekteve në luftën antikorrupsion në Shqipëri. Berisha shprehu vlerësimin për këtë organizatë si dhe për vlerësimin e saj për Shqipërinë në raportin e fundit për indeksin e korrupsionit. Gjatë këtij takimi Berisha shprehu gatishmërinë dhe vendosmërinë e qeverisë për të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm që ky fenomen të luftohet me efikasitet. Kryeministri Berisha e njohu zonjën Label me luftën e ndërmarrë nga qeveria shqiptare kundër korrupsionit në çdo hallkë, duke vënë theksin veçanërisht në reformat e ndërmarra për dixhitalizimin e shërbimeve për regjistrimin e biznesit, prokurimet publike, në tatime dhe dogana, si dhe reduktimin e lejeve dhe licencave. Kryetarja e Transparency International, Label, shprehu vlerësimet pozitive për sukseset e arritura nga Shqipëria në luftën kundër korrupsionit dhe ofroi mbështetjen e saj dhe të Transparency International për vazhdimin me sukses të kësaj lufte. Kryeministri Berisha e njohu zonjën Label edhe me projektet e mëtejshme të qeverisë shqiptare në këtë drejtim, duke kërkuar ndihmën dhe mbështetjen e saj dhe të këtij institucioni. Transparency International, si institucioni më prestigjioz dhe i specializuar në procesin e vështirë të luftës kundër korrupsionit, do të studiojë dhe parashikojë rrugë e mjetet e tjera për të ndihmuar Shqipërinë në luftën e mëtejshme kundër korrupsionit.