E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO, presion mbi Slloveninë për Kroacinë dhe Shqipërinë



Shtyrja e ratifikimit të protokolleve të anëtarësimit të Kroacisë dhe Shqipërisë nga Sllovenia për të hyrë në NATO ka vënë në lëvizje drejtuesit në Bruksel. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hup Shefer, ka thirrur në Bruksel për bisedime, ministren e Mbrojtjes së Sllovenisë, Lubica Jelusiç. Mediat sllovene kanë shkruar se ministrja Jelusiç ka deklaruar se javën e ardhshme, janë në pritje disa lëvizje politike që siç shpreson ajo, do të mund të pasonin me mbajtjen e një seance parlamentare dhe shqyrtimin e miratimit të Protokollit për Anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. “Nëse puna shkon deri tek organizimi i referendumit, të gjitha afatet do të tejkalohen. Shpresoj që të mos vijë puna deri tek referendumi, por edhe nëse zhvillohet, rezultati do të jetë negativ. Në këtë rast, Sllovenia do të jetë e përulur para syve të bashkësisë ndërkombëtare”, - ka deklaruar ajo. Parlamenti do të shqyrtojë pas dy javësh protokollet e anëtarësimit të Kroacisë dhe Shqipërisë. Vendi ynë duket se ka mbetur peng për shkak të një problemi të vjetër të mbartur mes Sllovenisë dhe Kroacisë, kufiri detar. Megjithatë, lajme të mira vijnë nga Sllovenia. Sipas DW, Kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor, ishte plotësisht i befasuar me sjelljen e partisë më të madhe opozitare, e cila konteston edhe politikën e Sllovenisë në raportet ndërkombëtare. “Kjo prek besueshmërinë e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë ndaj shtetit tonë, sepse për anëtarësimin e tyre në NATO është i domosdoshëm ratifikimi”, - ka deklaruar ai. Por agjencia sllovene, STA, ka njoftuar se sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jap de Hup Shefer, ka shprehur shqetësim për zhvillimet e reja lidhur me veton sllovene për Protokollin e Anëtarësimit. Zëdhënësi i NATO-s, Xhejms Apaturaj, ka theksuar se Sheferi vetëm ka pyetur ministren Jelusiç për ratifikimin dhe ajo i ka shpjeguar procedurën se si ecën. “Por Sekretari Shefer asnjëherë nuk do të komentojë proceset e brendshme në një shtet anëtar”, - ka deklaruar Apaturaj.

Seanca e re e Parlamentit të Sllovenisë mund të mbahet vetëm pas dy javësh, por pa marrëveshjen Pahor-Jansha nuk mund të sigurohen dy të tretat e votave të deputetëve, sa janë të domosdoshme për ratifikimin e Protokollit për Anëtarësimin e Kroacisë dhe Shqipërisë në NATO. Në seancën e parlamentit slloven ishin edhe shumë gazetarë të huaj dhe përfaqësues të vendeve anëtare të NATO-s.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›