Çekia i hap luftë Shqipërisë
Të bërit biznes në Shqipëri është kthyer në një makth për kompaninë CEZ. Kështu raporton e përditshmja çeke Lidove Noviny. Aq shumë është kthyer në problem çështja e CEZ, sa zyrtarët më të lartë çekë, përfshi kryeministrin, kanë vizituar Tiranën për këtë çështje. Në komentin e saj gazeta shkruan se tani vendi rrezikon të quhet CEZka Republika dhe jo Ceska Republika. CEZ e ka tërhequr shtetin çek në një betejë ligjore dhe politike me Shqipërinë, shkruan gazeta. Shkak është bërë një taksë prej 23 milion euro që shteti shqiptar i ka vënë kompanisë. Kjo e fundit ka kërcënuar shtetin shqiptar se do të ndërpresë furnizimin me energji të ujësjellësave. Vetë shteti shqiptar i ka kompanisë CEZ një borxh që shkon 1.1 miliard krona.
Por përveç shtetit, në Shqipëri energjinë nuk e paguajnë as disa zona në vend. Gazeta shkruan se punonjësit e kompanisë janë sulmuar fizikisht nga fshatarët kur kanë tentuar të ndërpresin energjinë për ata që nuk paguajnë.
Në fund gazeta shkruan se mbi të gjitha CEZ është një kompani shtetërore dhe miliardat e saj janë edhe miliardat e qytetarëve ndaj është detyrë e kryeministrave që të mbrojnë interesat e qytetarëve.