Rriten pagat e mjekëve të qendrave shëndetësore, shtesa për çdo kategori
Përfituesit - Për shërbimin parësor, përfitojnë rritje page rreth 9300 punonjës, me një efekt financiar 61.6 milionë lekë, e cila nis që nga data 15 korrik 2012.
Deklarata - Rritja e pagave është dyfishuar për mjekët dhe infermierët vetëm gjatë viteve të fundit, duke arritur deri në 83 mije lekë të reja për mjekët e familjes në zonat e thella malore, tha Hana
Vendimi i Institutit të Kujdesit Shëndetësor, në një linjë me rritjen që bëri qeveria në gusht
Lorina Mixha
Pas rritjes së pagave të mjekëve dhe personelit shëndetësor në spitalet rajonale dhe universitare të vendit, me Vendim të Këshillit të Ministrave, u shtohet pagesa edhe mjekëve të familjes. Në të njëjtën linjë si qeveria pak kohë më parë, edhe këshilli administrativ i Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor mori dje vendimin për rritjen e pagave të mjekëve të familjes dhe infermierëve të qendrave shëndetësore në të gjithë vendin. Rritja për pagat e mjekëve, sipas vendimit të qeverisë, ishte 2 deri në 5 për qind. Në të njëjtën masë rriten edhe pagat e personelit shëndetësor në qendrat shëndetësore.
Sipas Kujdesit Shëndetësor, këshilli administrativ e mori vendimin në zbatim të politikave të qeverisë për stimulimin financiar të personelit shëndetësor.
ISKSH miratoi dje vendimin për rritjen nga 2 deri në 5% të pagave të mjekëve të familjes dhe infermierëve të qendrave shëndetësore në të gjithë vendin.
Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, tha se: Pagat e mjekëve dhe stimulimi i punës së stafit mjekësor mbetet një prioritet i pandryshuar i qeverisë, politikë e cila reflektohet edhe në këtë rritje pagash që ISKSH miratoi sot për mjekët e familjes dhe të gjithë stafin e qendrave shëndetësore.
Rritja e pagave është dyfishuar për mjekët dhe infermierët vetëm gjatë viteve të fundit, duke arritur deri në 83 mijë lekë të reja për mjekët e familjes në zonat e thella malore, tha drejtoresha e ISKSH-së.
Rritja
Rritja më e lartë është parashikuar për mjekët, të cilët mbulojnë zonat qendrore, paga e të cilëve, nga 52.835 lekë, bëhet 55.335 lekë. Për mjekët që mbulojnë zonat kodrinore, paga rritet nga 63.335 lekë në 65.335 lekë. Ndërsa mjekët e zonave malore, paga e të cilëve ishte 81.835, bëhet 83.335 lekë të reja.
Një mjek në zonën qendrore që mbulon 2 mijë banorë, me vjetërsi pune 25 vjet dhe që kryen mbi 12 vizita në ditë, do të paguhet me një pagë mujore bruto rreth 55 mijë lekë, ndërsa një mjek në zonat e thella malore, që kryen 6 vizita në ditë, do të paguhet me pagë mujore rreth 83 mijë lekë.
Edhe pagat e mjekëve specialistë në qendrat shëndetësore do të kenë një rritje me rreth 4%.
Paga mujore bruto e mjekëve specialistë me vjetërsi pune mbi 25 vjet varion nga 53.300 lekë në 56.500 lekë. Nga kjo rritje përfitojnë rreth 300 mjekë specialistë, me një efekt financiar deri në fund të vitit 2012 prej rreth 3.5 milionë lekësh.
Paga e personelit të infermierëve, në total, ka një rritje rreth 2.2%. Nga 15 korriku, pagat e infermierëve me arsim të mesëm profesional, arrijnë deri në 35 mijë lekë, ndërsa pagat e infermierëve me arsim të lartë janë rritur me 4%, pra nga 38 mijë lekë shkojnë në 40 mijë lekë.
Nga kjo rritje përfitojnë mbi 6600 infermierë, me një efekt financiar deri në fund të vitit 2012, rreth 29.7 milionë lekë.
Në total, për shërbimin parësor, përfitojnë rritje page rreth 9300 punonjës, me një efekt financiar 61.6 milionë lekë, e cila nis që nga data 15 korrik 2012.
Krahasimi
Në muajin gusht, pas marrjes së vendimit për rritjen e pagave për disa kategori, qeveria ka argumentuar se pagesat e mjekëve dhe infermierëve janë rritur në masë të konsiderueshme, nëse do të bëjmë krahasimin me vitin 2005.
Paga mesatare e mjekut, që në vitin 2005 ka qenë 22683 lekë, në vitin 2012 bëhet 58098 lekë, me një rritje prej rreth 2.6 herë krahasuar me vitin 2005.
Paga mesatare e infermierit, që në vitin 2005 ka qenë 15044 lekë, në vitin 2012 bëhet 35618 lekë, një rritje prej rreth 2.4 herë krahasuar me vitin 2005. Raporti i pagës së infermierit me pagën e kryeministrit, që në vitin 2005 ka qenë 1 me 13, në vitin 2012 është 1 me 6.4.
Rritja
Paga mesatare për mjekët e familjes bëhet nga rreth 55 mijë lekë në zonat qendrore, deri në 83 mijë lekë të reja në zonat e thella. Përfitojnë 9300 punonjës
Rriten pagat e mjekëve të qendrave shëndetësore, shtesa për çdo kategori burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip