Bode: Vendet vakante të mbeten bosh, të pezullohen rekrutimet
Berisha e qeverisë në dietë, me kalimin e kohës i rriti shpenzimet, sidomos në 2009-n, me 35%
Gërshërët e buxhetit
Telefonat – Kriza ka hyrë aq thellë në buxhetin e shtetit, sa detyron ministrin të reduktojë kuotat e bisedave telefonike, me të paktën 20%
Dietat – Shpenzimet për udhëtimet dhe dietat jashtë reduktohen, duke përfshirë vetëm ato të rëndësisë së veçantë, për një numër të kufizuar
Trajnimet – Ministria ka bllokuar edhe trajnimet, seminaret apo kurset jashtë vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme
Kriza – Buxheti nuk ka para, urdhri i ministrit i Financave prek edhe kontratat
ARD KOLA
Plani i masave për të kursyer në kohë krize prek edhe strukturat e administratës shtetërore. Kush kishte planifikuar të punojë në shtet me anë të konkursit apo me kontratë, duhet të presë, të paktën deri në fillim të vitit, kur gjendja financiare mund të bëhet më mirë.
Ministria e Financave nuk ka shkurtuar vetëm shpenzimet operative, por edhe rekrutimet në administratë, qofshin këto edhe plotësimet e vendeve vakante.
Çdo funksion në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, i miratuar në organikë dhe i paplotësuar ende, të ngrijë deri në fund të vitit, është urdhri i prerë i ministrit të Financave. Nga ky vendim, shefi i Financave përjashton, vendet e paplotësuara për të cilat është realizuar konkursi, si dhe rastet specifike për të cilat merret miratimi i ministrit Bode.
Vendimi për të kursyer prek edhe planet e ministrive për të rekrutuar staf, me anë të kontratave, mjet ky tepër i përdorur, sidomos në kohë fushatash. Pezullohen kërkesat për inicimin e akteve të Këshillit të Ministrave për miratimin e punonjësve me kontratë të përkohshme, në njësitë e qeverisjes qendrore, thuhet në vendimin për disiplinimin e fondeve në buxhet.
Plani për të ngrirë administratën, duke mos lejuar asnjë punësim deri në fund të vitit është një hap i dëshpëruar i qeverisë për të kursyer sadopak në këto kohë krize.
Nuk dihet me saktësi se sa është numri i vendeve vakante në administratë, por fakti që ekspertët e Financave nuk kanë llogaritur efektet pozitive në buxhet nga ky vendim, tregon se ministria po tenton të marrë maksimumin e mundshëm, pa një strategji të qartë.
Punësimi me anë të kontratës së përkohshme i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit fatura të konsiderueshme në buxhet. Jo më larg se tre muaj më parë, Kryeministri Sali Berisha miratoi një shtesë prej 110 punonjësish me kontratë të përkohshme. Ky kontingjent i shërben provizorisht administratës, në varësi të situatës emergjente dhe të nevojshme për një objektiv të caktuar. Në total, mendohet se janë rreth 700 punonjës me kontratë, por edhe vende bosh ka plot, për shkak se disa ministri, sidomos ajo e Mbrojtjes, e cila sapo kanë miratuar strukturën e re.
Vendimi i ministrit për të mos lejuar rekrutimet vjen pas verifikimeve të kryera, nga ku u konstatuan shumë shkelje të disiplinës financiare sa i takon pagave dhe shpërblimeve. Gjatë procesit të mbikëqyrjes nga ana e Komisionit të Shërbimit Civil për vitin 2011-n, u konstatuan 228 pozicione pune që bëjnë pjesë në shërbimin civil, të plotësuara nëpërmjet emërimeve me kontratë të përkohshme. Shumë institucione e kanë tejkaluar limitin prej 10 përqindësh të totalit të punonjësve të lejuar me kontratë, sikurse kanë shkelur edhe afatin prej tre muajsh.
Në numrin e ditës së hënë, gazeta Shqip publikoi planin e kursimeve të qeverisë, i cili duke nisur nga data 7 shtator, ndalonte shpërblimet, dietat, udhëtimet dhe reduktonte kuotat për bisedat telefonike të punonjësve të shtetit.
Duke nisur nga data 7 shtator 2012, botimi i çdo lloj njoftimi (tenderi), përjashtuar njoftimin e kontratës së nënshkruar, për prokurim të fondeve buxhetore për shpenzimet operative, të njësive të qeverisjes qendrore, bëhet vetëm me leje të ministrit të Financave dhe duhet të tregojë detyrimisht burimin e financimit, thuhet në pikën e parë të projektvendimit. Financat përjashtojnë nga ky rregull fondet buxhetore që shkojnë për shërbimin e ushqimit apo medikamenteve në ato njësi të qeverisjes qendrore, në të cilat kryhet ky shërbim, blerjet e vogla emergjente, të cilat nuk janë objekt prokurimi.
Në raport me 2006-n, demokratët i kanë rritur me 70% shpenzimet e qejfit
Vendimi për të kursyer, pasi u shpenzuan ekstra 35 milionë USD
Ministria e Financave, nga disa verifikime të bëra te shpenzimet e personelit te disa institucione, ka vërejtur mjaft probleme në mënyrën se si zbatohet legjislacioni për pagat dhe shpërblimet. Për shkeljet e konstatuara është kërkuar që njësitë e auditimit të marrin masa të menjëhershme për zhdëmtimin e buxhetit. Në thelb, ky është argumenti i planit të masave me shkurtimet që po ndërmerr qeveria me në krye ministrin e Financave.
Shifrat tregojnë se administrata shtetërore, deri në muajin korrik, ka shpenzuar mbi planin rreth 35 milionë dollarë, ose në total rreth 190 milionë dollarë, pra me një rritje prej 22 përqindësh. Masat e ndërmarra janë një tentativë e ministrit Bode për të ulur sadopak ritmin e pajustifikuar të shpenzimeve në kohë krize.
Mjafton të shikojmë të dhënat statistikore të 10 viteve të fundit, si 7-mujor. Në vitin 2002, shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes, që ndryshe konsiderohen shpenzime qejfi, pasi janë për mjete transporti, shpërblime, udhëtime, dieta, pajisje zyre, celularë, trajnime, etj., ishin rreth 100 milionë dollarë, kurse në vitin 2012 kanë arritur në 190 milionë dollarë.
Kur demokratët erdhën në pushtet, Kryeministri Berisha ndërmori iniciativën e qeverisë në dietë, duke ulur shpenzimet, por me kalimin e kohës ato u rritën, sidomos në vitin 2009, me rreth 35 për qind, nga viti 2006 deri në 2012, si 7-mujor shpenzimet operative janë rritur me të paktën 70 për qind. Këto shifra bien ndesh me iniciativën e kursimeve. Ato u rritën shumë në vitet 2009 dhe 2010, kohë fushatash dhe reklamash, me 30 dhe 40 milionë dollarë respektivisht.
Rritja e pagave është një tjetër faturë e qeverisë. Këtë vit hyri në fuqi më 15 korrik, por ende nuk janë ndjerë në xhepin e punonjësit të shtetit. Pagat u shtuan me 2 deri në 4 për qind, aq sa është mesatarisht niveli i inflacionit (rritja e çmimeve), ndërsa fatura në buxhet ishte 15 milionë dollarë ekstra.
Bashkë me rritjen e pagave, ministri i Financave paralajmëroi edhe uljen e punonjësve në shtet. Kështu, numri i përgjithshëm i punonjësve buxhetorë për vitin 2012 do të jetë 88 640 punonjës, nga 89 560 punonjës në vitin 2011.
A.Kola
Kursi
Valutat, monedha Lek forcohet ndaj Euros
Monedha vendase ka nisur një javë të mbarë në tregun e valutave të këmbimit. Pas një muaj zhvlerësimi, leku po i rikthehet ditëve pozitive, duke u forcuar ndaj valutave të huaja kryesore. Euro është kuotuar dje në 138.13 lekë, duke u dobësuar 0.11 lekë krahasuar me ditën e premte të javës së kaluar. Megjithëse shtatori shënon edhe largimin e emigrantëve dhe turistëve, du