R.I.P o lis!
Po më djegin njerëzit e mi, por nuk kanë faj! Fali zot se sdinë çfarë bëjnë, janë të vegjël… Flaka e pangopur e ka fajin! E mallkuara përdridhet gjithë ojna si një cigane plot epsh, e poshtër, gënjeshtare e që ta ndez shpirtin! Vjen e të hyn me vërtik nëpër damarë e të përpin të gjithin! Po ma ngroh zemrën (se dhe ne lisat kemi zemër) dhe pse po ma than trupin, po më lodh, po më kërrus! Ske çti thuash, është e bukur! Vazhdon rrugën e saj e egër dhe plot pasion! Mi rrëzoi gjethet dhe tani nuk po ma kursen as rrëshirën që si llavë e nxehtë më rrëshqet ndër gjymtyrë!
Po vjen fundi…
Po më djeg flaka apo njerëzit e mi…? Fundja le ta bëjnë, nuk i mbaj mëri, janë njerëzit e mi, por janë te verbuar nga nepërka e zjarrte, ajo ua ka përpirë trutë!
Fali Zot! Thonë që me trungjet e pemëve bëhen fletët e librave ku shkruhen mençuritë e marrëzitë e kësaj bote… Ne pemët kemi qenë gjithmonë krenare për këtë detyrë!
-Sa do më duheshin ca fletë tani të hidhja këto mendime të fundit qe më vërdallisen nëpër rrënjë… Ska gjë! Po i shkruaj mbi hirin tim! Amanet të mi ruani…
-Kur u ngjiza në këtë tokë të bekuar e të mallkuar ishte dimër, këtu e 100 vjet përpara një i ftohtë që ta thante kërcirin, një acar që se harroj kurrë kishte kapluar gjithë pyjet anembanë. Isha filiz i vockël, i sapombjellë dhe kisha frikë, shumë frikë! Çdo puhizë e lehtë më trembte se mendoja që do më rrëzonte përtokë, por jo! Unë u mbajta si të isha 200 vjeçar! Pemët e tjera më shihnin me dashuri, më mbronin… Ti je ndryshe, më pëshpëritnin, ti je i bekuar, ti ke lindur në një ditë me vendin e shqiponjave! Ti ke lindur më 28 nëntor 1912! Ti je lisi i Pavarësisë! Nuk e kuptoja të them të drejtën, por ama më pëlqente emri im sepse çdo ditë e më shumë të gjitha pemët, kafshët, zogjtë, insektet më shihnin ndryshe, me dashuri, respekt, më mbronin! Isha Lisi i Pavarësisë! Ditët, javët, muajt, vitet kalonin dhe unë rritesha bashkë me vendin e shqiponjave! Kisha shpresë se të dy do rriteshim të fortë, të ashpër, të drejtë dhe do arrinim ta kapnim qiellin me kokën lart! Kisha shumë besim…
Ndërkohe i çuditur shikoja që vendi i shqiponjave spo rritej me mua dhe ndjehesha fajtor! I struka degët që mos të përpinin qiellin! Smund të rritesha vetëm, duhet të rriteshim bashkë… Vitet kalonin dhe aty nën hijen time pashë të kalonin ushtri të nëmura e ta shkelnin më këmbë këtë vend, pashë mbretër që ia mbathnin, pashë njerëz që pushkatonin njerëz, pashë fëmijë që kalonin malin dhe i përpinte nata, pashë vëllezër që varrosnin vëllezër, pashë gra që përdhunoheshin, pashë qyqet që nuk këndonin dot prej dhimbjes, pashë shumë dhe papritur u lodha… Ngadalë nëpër trung filluan të më dilnin vraga, plagë të vockla po të thella, ndërkohë që krimba të vegjël po ushqeheshin përditë me palcën time! Nuk doja të shërohesha, duhet të prisja vendin tim, të shëroheshim bashkë e të rriteshim bashkë! Vitet kaluan dhe tani unë dhe vendi im kemi ditëlindjen! Do ta festoja me gjithë qejf por më vjen shumë keq! Me duhet të digjem… Flaka e poshtër e ka fajin, jo njerëzit e mi! Një peng e kam: Më gulçon shpirti që nuk e pushtuam të dy qiellin megjithatë gëzuar ditëlindjen vëllaçko! Gëzuar 100vjetorin…
