E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita i befasoi shqiptarët me përdorimin e mandatit të saj politik për të bllokuar një sërë reformash

Gjatë një intervistë për gazetën, Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj flet për dialogun e vështirë politik, por edhe për axhendën reformatore të fillimit të vitit

“Mazhoranca tregoi përgjegjshmëri maksimale, maturi të sprovuar, sens të fortë serioziteti dhe përgjegjësie politike përballë nevojës së vendit për integrim në mentalitetin euroatlantik. E ndodhur përballe këtij “revolucioni” reformues, opozita nuk arriti të mbante ritmin, të kuptonte orientimin dhe nevojën e domosdoshmërinë e saj. U provua që nismat ligjore reformuese ishin veçse adoptim i standardeve më të larta të funksionimit të shtetit kushtetues dhe të së drejtës, të certifikuara nga ekspertiza juridike dhe politike ndërkombëtare. Kjo bëri që me vonesë të arrihej një konsensus palësh politike, pasi mazhoranca gjithnjë konsensusin e ka konceptuar si bashkëveprim palësh politike dhe jo mbledhje aritmetike numrash”

TIRANE – Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj në një intervistë të posaçme për gazetën “55” vlerëson realizimin e reformës në drejtësi dhe komponentë të caktuar të saj. Sipas tij janë reformuar me sukses një sërë ligjesh themeltare të cilat ndërhyjnë në një masë serioze në sistemin e drejtësisë.
Por ajo çka është më e rëndësishme sipas tij lidhet me atë që fryma reformuese e shpallur në programin e mazhorancës është bërë një mentalitet politik. Sipas tij kjo mazhorancë tregoi përgjegjshmëri maksimale, maturi të sprovuar, sens të fortë serioziteti dhe përgjegjësie politike përballë nevojës së vendit për integrim në mentalitetin euroatlantik. Ndërsa përkundër opozita bëri përdorimin e numrave në Kuvend për të penguar realizimin e nismave reformuese duke mos propozuar ndërkohë asnjë alternativë tjetër dhe në këtë mënyrë ajo e shndërroi mandatin e saj politik në një masë numrash. Kur u provua edhe nga ekspertiza ndërkombëtare që këto nisma reformuese reflektonin standardet e larta te shtetit të së drejtës, opozita iu përgjigj konsensusit të ofruar nga mazhoranca, bënë të ditur më tej Ministri Alibeaj.
Gjithashtu ministri i drejtësisë komenton edhe projektin e binjakëzimit të KLD-së me dy institucione homologe të Italisë dhe Spanjës, projekt i cili do të performojë funksionimin e këtij institucioni. Në intervistën e tij për gazetën tonë, Ministri i Drejtësisë flet edhe rreth projektit më të fundit midis BE-së dhe Ministrisë së Drejtësisë për ndërtimin e burgjeve të reja, ku sipas tij edhe në këtë aspekt diferenca me 4 vjet më parë është e prekshme, konkrete dhe e përshëndetur gjerësisht

Si e vlerësoni ecurinë e deritanishme të reformës në drejtësi?
Tashmë jemi para një fakti real siç është ai i aprovimit prej kuvendit të disa ligjeve themeltare që ndërhyjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në masë serioze në sistemin e drejtësisë. Sistemi gjyqësor, ai i prokurorisë, sistemi i shërbimit të përmbarimit, sistemi i zbatimit të vendimeve penale, sistemi i avokatisë dhe i dhënies së ndihmës juridike falas, sistemi i mbrojtjes dhe përfaqësimit të shtetit nëpërmjet avokaturës së shtetit, kanë tashmë një bazë ligjore të reformuar që sapo ka hyrë në fuqi. Iniciativa akoma më të rëndësishme janë në diskutim në Kuvend, si ligji mbi sistemin e gjykatave administrative dhe procesin gjyqësor administrativ, ligji mbi statusin e administratës gjyqësore, mbi sistemin e noterisë. Është masë reformuese e një sistemi bazik shtetëror e realizuar përgjatë një viti parlamentar. Mund të mos jem ndoshta objektiv në vlerësim, por një valë të tillë reformuese, e realizuar në mënyrë paralele, e bashkërenduar dhe e përputhur mes saj, historia shtetformuese e Shqipërisë nuk e ka njohur më parë. Është meritë e vullnetit të qartë politik të kësaj mazhorance, pa mohuar mbështetjen qoftë edhe parimore të flukseve të tjera politike, të cilat bënë të mundur realizimin dhe në dimensione të tilla të kësaj reforme. Ajo çfarë është më e rëndësishme se vetë reforma është fryma politike e reformimit, e shpallur në programin e mazhorancës, e që tashmë është bërë mentalitet politik i gjithëpranuar. Është ky një ndryshim konceptual i jetës dhe mendimit politik të vendit. Qoftë edhe me modesti është meritë e plotë e mazhorancës qeverisëse. Tashmë sfida është zbatimi konkret i këtyre akteve ligjore. Reforma do të quhet se ka dhënë produktet e veta kur njeh zbatim konkret të rregullave të miratuara. Rruga është e vështirë, kërkon sakrificë, por plotësisht e mundshme. Tashmë një cikël i plotë reformues është realizuar. Një përvojë pozitive e suksesshme është fituar.
 
Si e komentoni konsensusin e vonuar, të ofruar nga opozita për bashkëpunim në lidhje me miratimin e disa ligjeve themeltare të reformës në drejtësi?
Do të justifikoja plotësisht një masë skepticizmi të çdo opozite, përballe lëvizjeve të tilla të mëdha reformuese që ndërmerr mazhoranca. Por kurrsesi përdorimin e numrave në kuvend si pengesë për miratimin e lëvizjeve reformuese duke mos dhënë nga ana tjetër asnjë alternativë. Reformat janë detyrim dhe barrë që mazhoranca duhet të çojë përpara. E kjo mazhorancë tregoi përgjegjshmëri maksimale, maturi të sprovuar, sens të fortë serioziteti dhe përgjegjësie politike përballë nevojës së vendit për integrim në mentalitetin euroatlantik. E ndodhur përballe këtij “revolucioni” reformues opozita nuk arriti të mbante ritmin, të kuptonte orientimin dhe nevojën e domosdoshmërinë e saj. Kjo “kapje në befasi” bëri që opozita në disa raste mandatin e vet politik e shndërroi vetëm në një masë numrash në Kuvend duke mos kuptuar përgjegjësinë dhe rëndësinë që edhe opozita ka në reforma të tilla thelbësore vitale për vendin. U provua që nismat ligjore reformuese ishin veçse adoptim i standardeve më të larta të funksionimit të shtetit kushtetues dhe të së drejtës, të certifikuara nga ekspertiza juridike dhe politike ndërkombëtare. Kjo bëri që me vonesë të arrihej një konsensus palësh politike, pasi mazhoranca gjithnjë konsensusin e ka konceptuar si bashkëveprim palësh politike dhe jo mbledhje aritmetike numrash.

Sipas jush, cilat janë synimet apo objektivat e një reforme sikurse kjo e juaja, në drejtësi?
Reforma ne drejtësi e ka të paracaktuar synimin e vet apo objektivin qe duhet të arrijë. Është pikërisht përshtatja e një kuadri ligjor të plotë, të qartë, të testuar të shtetit të së drejtës. Pra të shtetit, i cili garanton që pushteti nuk personalizohet, që pushteti ushtrohet vetëm me një qëllim, shërbimi ndaj publikut. Është e pashmangshme që ky ushtrim pushteti ka një komponencë njerëzore të ushtrimit të tij. Pikërisht ky element pra ai njerëzor në ushtrimin e pushtetit ka qenë fokusi principial i reformës, apo të themi i pjesës së parë të reformës. Gjyqtarët do të japin drejtësi nëse ndjehen të garantuar në punën e tyre, të qetë se nuk do ketë influence në veprimtari, të bindur se karriera, promovimi dhe pagesa e tyre janë funksion i drejtpërdrejtë i performancës në punë dhe sigurisht të përgjegjshëm para ligjit si çdo funksionar tjetër shtetëror. Po kështu prokurorët do të mund të ushtrojnë funksionin e ndjekjes penale, jashtë influencës apo presionit politik, korruptiv apo atij të rrugës vetëm kur të kenë garanci të qëndrimit në detyrë, vlerësim objektiv të aftësisë dhe profesionalizmit dhe inspirim drejt shërbimit ndaj publikut. Këto standarde kam bindje të plotë se janë arritur me këtë pjesë të parë reformës.

Cilat do të jenë nismat që do të ndërmerren për këtë vit dhe cili mendoni se do te jetë rezultati i tyre?
Reformat në këtë sistem do të ecin tashmë me reformim të procesit të dhënies së shërbimit. Drejtësia duhet konceptuar si shërbim ndaj qytetarit. Drejtësia duhet dhënë shpejt, në mënyrë efikase, profesionale, të standardizuar dhe të unifikuar. Këto parametra të reformës do të bëhen të mundura me ndërhyrje energjike, te matura, serioze në ligjet bazë të procesit të drejtësidhënies, pra kodet bazë të proceseve gjyqësore,dhe ligjet e tjera sekondare. Rezultati, mendoj dhe besoj, me bindje te plotë se do të arrihet, nuk është ndonjë surprizë. Është thjesht zbatimi i ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë siç Kushtetuta urdhëron, drejtësi efikase, e specializuar, e pavarur dhe e paanshme, dhe një ndryshim tërësor i perceptimit dhe bindjes së qytetarit ndaj asaj, çfarë ai ka tani, për këtë shërbim. 
 
Në fund të vitit të kaluar përfundoi realizimi i projektit për binjakëzimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë me dy institucione homologe të Italisë dhe të Spanjës. Cili do të jetë impakti që do të ketë ky projekt mbi funksionimin e veprimtarisë së KLD-së dhe të vetë pushtetit gjyqësor?
Është një produkt ligjor cilësor, fryt i një studimi të gjatë dhe profesional i bërë nga ekspertët italianë dhe spanjollë, mbi vete nevojën e ndryshimit të funksionimit dhe organizimit të këtij organi. Ky material i nxjerrë në përfundim të projektit i është përcjelle Ministrisë së Drejtësisë, dhe do të jetë baza e ndryshimeve reformuese në këtë institucion. Ministria e drejtësisë ka kërkuar edhe asistencën e mëvonshme të ekspertëve në fjalë, përgjatë procesit të reformimit të ligjit, i cili është në rrugë e sipër. Me ndryshimet e pritshme synohet reformimi i këtij institucioni, duke e shndërruar atë në një institucion i cili ka një qëllim të vetëm: të garantoje statusin e gjyqtarit. Pra në një institucion, përbërja e të cilit të reflektojë vërtet përfaqësimin e gjyqtarëve, në të cilin gjyqtarët të shohin garantuesin e karrierës së tyre sipas kritereve vetëm ligjore dhe jo klienteliste, të promovimit të tyre vetëm në bazë performance dhe jo në bazë konjukturash, të mbrojtjes së gjyqtarëve dhe ndëshkimit të tyre atëherë kur është vendi dhe jo të krijimit të një klime frike te ta, dhe së fundi edhe të një organi anëtarët e të cilit të jenë në kushte për të përmbushur detyrimet e tyre ligjore si dhe të jenë llogaridhënës ndaj strukturave përzgjedhëse.
 
Cili do të ishte mendimi juaj në lidhje me projektin për ndërtimin e burgjeve të reja në vendin tonë të prezantuar në Ministrinë e Drejtësisë, nga përfaqësues të Bashkimit Evropian?
Bashkëpunimi i strukturave përfaqësuese të Bashkimit Evropian ka qenë i gjithanshëm me Ministrinë e Drejtësisë. Kujtoj mbështetjen me asistence ligjore të dhënë prej shume kohësh nga misioni EURALIUS, projekte të tjera në fushën tregtare, apo të informatizimit të sistemit gjyqësor apo në atë të shërbimit përmbarimor. Por nëse ka patur një bashkëpunim të ngushtë, të niveleve më të larta, intensiv, e sigurisht edhe me financime të mëdha ka qenë sistemi penitenciar. Vetëm vitin që kaloi përfundoi ndërtimi i tre komplekseve të reja burgimi ose paraburgimi në Vlorë, Fushë-Krujë dhe Korçë. Ka përfunduar pothuajse edhe një i kompleks i katërt i destinuar për të miturit në Kavajë. Ministria e Drejtësisë dhe strukturat e Drejtorisë së përgjithshme të burgjeve i është përgjigjur taksapaguesve evropianë dhe administruesve të tyre me korrektësi, me aftësi të larta përthithjeje të këtyre fondeve dhe respektim të plotë ndihmës bujare të dhënë prej tyre. Kjo ka bërë që të tjera fonde për ndërtim burgjesh apo paraburgimesh të parashikohen nga BE-ja projekti i të cilave u prezantua ne Ministrinë e Drejtësisë. Tashmë qeveria shqiptare veç falënderimit të përzemërt që i ka adresuar partnerëve tanë evropianë ka marrë edhe premtimin, sepse ka edhe mundësinë, që ndërtimi i këtyre komplekseve të jetë bashkëfinancim me buxhetin e shtetit, ose financim ekskluziv i tij. Shenjë domethënëse është ngritja e një kompleksi të tillë me financim tërësor nga buxheti i shtetit ne Durrës. Arritje të dukshme ka tashmë standardi i trajtimit të të dënuarve ose i të paraburgosurve në çdo komponent te tij. Diferenca, midis së sotmes dhe 4 vjetëve të shkuara, në këtë aspekt është konkrete, e prekshme, e madje edhe e përshëndetur gjerësisht. Kjo qeveri e ka pasur dhe e ka  gjithnjë në fokusin e vet primar “planetin penitenciar” si një nga treguesit më domethënës të nivelit të demokracisë në vend.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›