Kryeministri raporton para kryetares së "Transparency International"
Kryeministri Berisha raporton përpara kryetares së Bordit të "Transparency International", Huguette Labelle, betejën e qeverisë së tij kundër korrupsionit. Kryeministri Berisha e njohu zonjën Labelle me luftën e vendosur të ndërmarrë nga qeveria shqiptare kundër korrupsionit në çdo hallkë, duke vënë theksin veçanërisht në reformat e ndërmarra për dixhitalizimin e shërbimeve për regjistrimin e biznesit, prokurimet publike, në tatime dhe dogana, si dhe reduktimin e lejeve dhe licencave. Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë dhe vendosmërinë e qeverisë për të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm që ky fenomen të luftohet me efikasitet, duke qenë një prioritet i qeverisë shqiptare. Sipas njoftimit në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, kryetarja e Bordit të TI, Labelle, shprehu vlerësimet pozitive për sukseset e arritura nga Shqipëria në luftën kundër korrupsionit dhe ofroi mbështetjen e saj dhe të "Transparency International" për vazhdimin me sukses të kësaj lufte. Kryeministri Berisha e njohu zonjën Labelle edhe me projektet e mëtejshme të qeverisë shqiptare në këtë drejtim, duke kërkuar ndihmën dhe mbështetjen e saj dhe të këtij institucioni.