E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çekia shtyn takimin për traktatin e Lisbonës

Gjykata kushtetuese në Republikën Çeke e ka shtyrë deri javën tjetër seancën që Traktati i Lisbonës mbi reformën evropiane të hyjë në fuqi.

Republika Çeke është vendi i vetëm nga 27 vendet anëtare të BE-së që nuk e ka nënshkruar ende traktatin që ka si qëllim të përcaktojë mënyrën se si do të drejtohet organizata dhe shihet nga shumë si themelor për zhvillimet e ardhshme.

Gjykata do të vendosë nëse traktati prek sovranitetin çek.

Gjykata Kushtetuese e vendit pritet të dëgjojë argumentat e një grupi senatorësh që thonë se Traktati i Lisbonës do të krijojë një super-shtet, duke cënuar kështu sovranitetin çek.

Senatorët gëzojnë përkrahjen e presidentit të vendit, Vaclav Klaus, i cili është kundërshtar i hapur i traktatit.

Nëse gjykata vendos në favor të traktatit, presidenti çek, Vaclav Klaus, duhet të vendosë nëse ta nënshkruajë atë apo jo, por ai për momentin ka vendosur kushte.

Një korrespondent i BBC-së në Bërno thotë se gjykata çeke ka marrë disa peticione gjatë ditëve të fundit. /bbc/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›