E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfehet mjeku: Nuk e njoh agresorin

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Mjeku neurolog Kosta Koçi doli dje nga rreziku për jetën, ndërsa rrëfen për grupin e hetimit gjithçka ndodhi para klinikës, ku ai u qëllua 11 herë me thikë. Ai e përshkruan agresorin si një djalë rreth të 30-ave, zeshkan dhe të mbushur. Por 65-vjeçari nuk ka mundur të flasë me emra konkretë, pasi sipas tij, nuk e njihte personin që iu afrua dhe e sulmoi. Policia tashmë ka nisur hetimet, ndërsa janë shoqëruar disa persona, të cilët pasi janë pyetur, janë lënë sërish të lirë. Policia e Vlorës vuri dje në dispozicion të informatorit për vendndodhjen e autorit të kësaj ngjarjeje, 300 mijë lekë. Mësohet se mjeku neurolog doli nga koma gjatë natës, mbas 5 orësh operacion. Sipas mjekëve, më problematike për 65-vjeçarin ishte plagosja në qafë. Atij iu dëmtua rëndë një venë, e cila i shkaktoi hemorragji të madhe. Gjithashtu, ai ka marrë plagë të rëndë edhe në zonën e sqetullës. “Kjo zonë është shumë problematike në rast lëndimesh”, u shprehën mjekët. Sipas tyre, puna e parë që është bërë, ishte bllokimi i  venës kryesore, që ishte prerë në qafë. Viktima kishte marrë edhe shumë plagë në trup, të cilat gjithsej bëheshin 11 të tilla. Për policinë, Koçi mbetet i vetmi person që mund të zbardhë ngjarjen. Pasi është përmendur nga koma, në orët e paradites së djeshme, mjeku është marrë në pyetje nga policia. Ndonëse gjendja e tij nuk ishte fort e mirë për të dhënë një deklaratë të plotë, ai ka mundur të përshkruajë autorin dhe të japë detaje të përgjithshme, se si kishte ndodhur ngjarja. “Ishte një djalë zeshkan, rreth të 30-ave, i gjatë, i mbushur... Nuk e njihja, as nuk mu duk fytyrë e njohur”. Kështu e ka nisur rrëfimin mjeku që u sulmua të martën, para klinikës ku punonte në lagjen “Hajro Çakërri”. Mjeku vijoi më pas me detaje të tjera se si kishte ndodhur ngjarja. Sipas tij, një grua po e priste disa metra larg klinikës, pasi më parë ajo e kishte marrë në telefon për t’i shërbyer një familjari të saj që ishte i sëmurë. Ndërsa ai del tek dera e klinikës, dhe gruaja e priste pak metra më tej, personi i panjohur i del para dhe e takon. Madje e përqafon dhe pa i hequr dorën nga qafa i kërkon të shkojë bashkë me të, pasi kishte nënën shumë sëmurë. “Meqë e paske kaq urgjent, më prit të marr makinën”, i është përgjigjur mjeku. Por djali ka refuzuar të merrnin makinë, pasi sipas tij, ai e kishte shtëpinë shumë afër klinikës. Pak metra më tej, gruaja që priste mjekun ndërhyn, duke i bërë të qartë këtij të fundit, se edhe rasti i saj ishte urgjent. Por pa mbaruar mirë biseda, djali nxjerr thikën dhe qëllon në qafë e në trup mjekun. Më pas ai largohet me shpejtësi. Familjarët e mjekut i kërkojnë policisë të gjejë autorin, ndërsa ata nuk komentojnë ngjarjen. Burime të policisë bënë të ditur se mjeku nuk ka pranuar të kishte pasur ndonjë konflikt më parë. Blutë kanë marrë në pyetje edhe gruan që e priste pak metra më tej ngjarjes mjekun. Deklarata e saj në polici është identike me atë të mjekut të dhënë nga spitali.

Mjekët: Jemi të pambrojtur

Duke marrë shkas nga ngjarja e së martës, kur një qytetar sulmoi dhe plagosi rëndë mjekun neurolog Kosta Koçi, reagojnë kolegët e tij. “Jemi të indinjuar për shkak se sjelljet e pahijshme deri në raste të tilla kriminale po shtohen dhe personeli mjekësor i stresuar ndihet i pambrojtur dhe jo i qetë për të kryer detyrën e tij humane dhe fisnike për ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit të njerëzve. Kudo në botë personeli shëndetësor respektohet për misionin e tij fisnik dhe human që ka në shoqëri, ndërsa tek ne qëndron dukshëm hera-herës dhuna verbale e fizike”, thuhej në deklaratën e djeshme të mjekëve të Vlorës. Bluzat e bardha shprehin edhe njëherë indinjatën e thellë ndaj këtyre qëndrimeve dhe i bëjnë thirrje gjithë opinionit publik për të dënuar e shmangur këto sjelle të pahijshme qytetare. Gjithashtu, ata i kërkojnë gjithë institucioneve shtetërore, në varësi të funksionit dhe detyrave që kanë, të marrin masa për të siguruar një shërbim shëndetësor normal, duke lejuar shërbimin mjekësor të kryejë me qetësi detyrën e tij fisnike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›